Foto: Mefail Bajqinovci - Facebook

I digjet vetura, Mefail Bajqinovci jep detaje

Vetura e kandidatit për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, sonte është përfshirë nga zjarri derisa ai ishte në të.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com vetë Bajqinovci, i cili tha se nuk e di arsyen deri tani se pse ka ardhur deri te zjarri.

“Vetura më është djegur dhe kam qenë në të, më shumë nuk kam çfarë të them. Ende nuk e di nëse përfshirë në zjarr nga ndonjë defekt, problem teknik apo diçka tjetër, veç gati u djega në të edhe unë”, tha ai për KALLXO.com.

Rastin e ka konfirmuar edhe Agron Borovci, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për këtë rajon, tha për KALLXO.com se rasti ka ndodhur në ora 19:00.

Ai tha se dy vetura janë përfshirë nga zjarri sot në lagjen “Arbëria” në Prishtinë, kurse nuk është raportuar për ndonjë person të lënduar.

“Rreth orës 19:00 është raportuar për një veturë me targë Kosove të përfshirë nga zjarri në lagjen Arbëria në Prishtinë. Nga zjarri është prekur edhe një veturë afër veturës që kishte marrë flakë”, ka bërë të ditur ai.

Tutje ai tha se Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, po ashtu edhe zjarrfikësit të cilët e kanë menaxhuar  përhapjen e zjarrit.

“Aktualisht policia ka nisur me ndërmarrjen e veprimeve që konsistojnë në zbardhjen e rrethanave të ngjarjes”, ka thënë më tej Borovci.