I digjet vetura me targa RKS një oficeri serb të Policisë së Kosovës, reagon Sveçla

Një oficer serb i Policisë së Kosovës sot është sulmuar nga disa persona dhe të njëjtit i kanë djegur veturën.

Kështu ka njoftuar ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili ka thënë se strukturat ilegale kanë sulmuar oficerin dhe i kanë djegur veturën me targa RKS.

“Tendencat për të ndjellur frikë vazhdojnë. Sot një tjetër oficer serb i Policisë së Kosovës është sulmuar nga strukturat ilegale, të cilat dogjën veturën e tij me targa legale RKS”- ka shkruar Sveçla në Twitter.

Sipas Sveçlës, kjo është thirrje për t’u luftuar institucionet e Kosovës dhe i ka bërë thirrje presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, të mos mbështes veprime të dhunshme.

“Kjo është një thirrje e hapur për t’u luftuar institucionet e Republikës së Kosovës. I kërkojmë Vuciqit të ndalojë së përkrahuri veprimet e dhunshme dhe terroriste ndaj qytetarëve besnikë të Republikës së Kosovës” – ka deklaruar Sveçla.

Nga 1 shtatori ka filluar procesi i regjistrimit të veturave me targa RKS. Ky proces do të zgjas deri më 31 tetor 2022. Nga MPB është thënë se qytetarët që do t’i konvertojnë targat në RKS do të kenë lehtësira tatimore. Po ashtu, procesi thuhet se nuk do të zgjas më shumë se 2 minuta.

Regjistrimi i veturave me targa RKS mund të bëhet në të gjitha qendrat e regjistrimit të automjeteve.