I dënuari për vrasjen e Fidan Shabit në Pejë qe tre muaj në arrati

Arian Lluka i cili deri më 17 tetor po mbante dënimin për vrasjen e Fidan Shabit në vitin 2012 në Pejë është në arrati tash e tre muaj.

KALLXO.com mëson se Lluka, nga datat 17 deri në 20 tetor të vitit të kaluar, ishte lejuar që gjatë vikendit të shkonte te familja e tij. Pas këtij pushimi, ai duhej të lajmërohej në Burgun e Mitrovicës. Por kjo nuk ndodhi.

KALLXO.com ka kërkuar sqarime edhe nga ana e Shërbimit Korrektues të Kosovës në lidhje me arratinë e Llukës.

Florent Gashi, Zëdhënës në SHKK, i ka thënë KALLXO.com se Shërbimi Korrektues i Kosovës ka lëshuar fletë- rreshtim për këtë rast ndërsa deri më sot nuk kanë marrë ndonjë informacion se ku mund të jetë Lluka.

“I njëjti ka shkuar në vikend më 17 tetor 2019, ka qenë dashur të kthehet më 20 tetor 2019, në orën 10:00, por ai nuk është kthyer. SHKK e ka evidentuar këtë rast dhe ka bërë fletërreshtim për të njëjtin person”, tha zëdhënësi Gashi.

Arian Lluka ka qenë i akuzuar dhe është dënuar për vrasjen e Fidan Shabit në Pejë.

Lluka është pranuar në Burgun e Mitrovicës më 21 janar të vitit 2016 ndërsa dënimin do ta vuante deri në vitin 2022. Lluka ishte i dënuar për vrasje.

KALLXO.com kishte raportuar në lidhje me vrasjen e Fidan Shabit nga Peja.

Të akuzuar për këtë vrasje ishin Arian Lluka e Besarta Kastrati- Harxhi. Në atë kohë, pra në vitin 2014 kur po zhvillohej procesi gjyqësor, Arian Lluka kishte moshë të mitur ndaj disa seanca ishin mbajtur të mbyllura për publikun.

Çka thoshte aktakuza për rastin e vrasjes Fidan Shabit?

Sipas aktakuzës Besarta Kastrati- Harxhi e ka thirrur natën kritike  më 2 maj 2012 viktimën Fidan Shabin në telefon, ka marrë me qira një xhip dhe ka shkuar para banesës se saj në ndërtesën te stacioni i trenit, ku është takuar me Fidan Shabin, të cilin e ka joshur brenda në tavan të banesës, kinse për të bërë marrëdhënie seksuale.

Aktakuza vazhdon se ajo më pas e ka qëlluar disa herë me revole Shabin dhe pas kësaj vepre te krimit e ka thirrur të akuzuarin tjetër Arian Llukën, më të cilin e kanë mbështjellë viktimën me qese të plastikës dhe e kanë lënë në tavanin e banesës.

Ndërkaq Arian Lluka, që në kohën kur është kryer kjo vepër ka qenë i mitur, akuzohet se i ka ndihmuar Besarata Kastratit-Harxhit, për fshehjen e provave dhe shkatërrimin e revoles që dyshohet se është përdorë në këtë vrasje.

Arian Lluka në procesin gjyqësor të 2014-ës nuk e kishte pranuar se kishte kryer vrasjen e Shabit.

Trupi i pajetë i Shabit ishte gjetur disa ditë pas vrasjes.

Në disa seanca të mbajtura atë kohë, Arian Lluka kishte pranuar se kishte pasur një borxh ndaj Fidan Shabit prej 10 mijë eurove.

Arian Lluka është akuzuar edhe për veprën tjetër penale, për shkaktimin e rrezikut të përgjithshëm me shpërthimin e një granate dore me 20 shkurt 2012 afër ish lokalit të Sali Kastrait (babait të Besarta Krasniqit- Harxhit), duke dëmtuar edhe disa lokale përreth.

Më poshtë mund të lexoni raportimet e KALLXO.com për vrasjen e Fidan Shabit:

Mbrojtja: Besarta Kurrë Nuk Është Takuar me Fidan Shabin (TV)

Vajza e Sali Dukatit Ndërron Fjalët