Foto: Ilustrim

I dënuari për vrasjen e 11-vjeçarit nga Fushë-Kosova dënohet edhe me 15 vjet burg për keqtrajtim seksual

Gjykata e Prishtinës, Departamenti për të mitur, ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarit Sefedin Osmani, i akuzuar për keqpërdorim seksual të personave nën moshën 16-vjeçare, në këtë rast Kujtim Veselit nga Fushë-Kosova.

Sot, Gjykata e ka dënuar me 15 vite burgim të akuzuarin për veprën e sipërpërmendur.

Për realizimin e kërkesës pasurore-juridike, pala e dëmtuar është udhëzuar në kontest juridiko civil.

Për dhunimin dhe vrasjen e Kujtim Veselit, 11-vjeçar, Sefedin Osmani në vitin 2020 ishte dënuar me 25 vjet burgim.

Kujtim Veseli, fëmijë i komunitetit ashkali, u gjet i vdekur më 11 korrik 2019, poshtë shkallëve të një objekti banimi në Fushë-Kosovë.

Sefedin Osmani akuzohej se e ka dhunuar vazhdimisht Kujtim Veselin edhe para datës 11 korrik kur u gjet i vrarë.

Sipas shkresave të rastit, Sefedin Osmani akuzohet se ka dhunuar seksualisht Kujtim Veselin edhe më 29 janar 2019, për çka ishte denoncuar në Polici nga babai i tij dhe  nëna e viktimës.

I dyshuari ishte intervistuar vetëm 65 ditë pas rastit të dhunimit, pra më 4 prill 2019.

Në këtë intervistë, Sefedin Osmani kishte pranuar se ka kryer marrëdhënie seksuale me viktimën.

Tek pas 65 ditësh, Policia e Kosovës kërkoi nga Prokuroria e Prishtinës ekzaminim mjekoligjor të Kujtim Veselit, por kjo e fundit tha se s’kishte nevojë.

Edhe pse rasti u paraqit në Polici më 29 janar 2019, ky institucion parashtroi kallëzim penal në Prokurori të Prishtinës vetëm më 12 prill 2019.

25 vite burgim për dhunimin dhe  vrasjen e 11-vjeçarit, Kujtim Veseli nga Fushë Kosova (kallxo.com)