Ilustrim

I dënuari në rastin 'Badovci', arrestohet nën dyshimin se kërcënoi ambasadorin e Kosovës në Francë

Fehmi Musa, i cili ishte i dënuar në rastin e njohur “Badovci” është arrestuar sot nga Policia.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar Policia e Kosovës.

“Policia e Kosovës me datë 20.10.2020 ka ndërmarrë një operacion, që ka rezultuar me arrestimin e një personi, si i dyshuar për veprën penale sipas kapitullit XIV, të veprave penale kundër rendit kushtetues të RKS-së”, thuhet në përgjigjen e policisë.

Policia ka bërë të ditur se të gjitha veprimet e mëtejshme do të ndërmerren në koordinim me organet e drejtësisë.

Musa është arrestuar nën dyshimet se ka kërcënuar ambasadorin e Kosovës në Francë, Qëndrim Gashin.

Bashkësia Islame dje kishte reaguar ndaj Ambasadorit të Kosovës në Paris, Qëndrim Gashi.

Gashi, në rrjetin social Twitter, shpërndau një artikull të gazetës franceze “Le Figaro”, në të cilin shfaqet një karikaturë e Pejgamerit Muhamed.