Foto: KALLXO.com
I dënuari me burgim të përjetshëm për vrasjen e dyfishtë në Gradicë të Drenasit ankohet në Supreme ndaj aktgjykimit të Gjykatës së Apelit
Xhafer Bardhi, i dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Apelit dhe Gjykata Themelore për vrasjen e dy personave (babë e bir) në Gradicë të Drenasit, është ankuar ndaj aktgjykimeve të dy gjykatave të sipërpërmendura.
Kujtojmë që Xhafer Bardhit Apeli ia kishte vërtetuar dënimin me burgim të përjetshëm.
Së bashku me të dënuarin akuzohej edhe Amir Bardhi (djali i Xhaferit), por Gjykata Themelore e kishte liruar nga akuza, gjë të cilën e kishte vërtetuar edhe Gjykata e shkallës së dytë.
Avokati i Xhafer Bardhit, Haxhi Millaku, përmes ankesës së parashtruar e të elaboruar nga kolegji i Supremes, kishte kërkuar që të anulohen aktgjykimet e Gjykatës së Apelit dhe të Themelores me të cilat Xhafer Bardhi ishte dënuar me burgim të përjetshëm dhe që çështja të kthehet në pikën zero.
Tutje, gjyqtarja Valdete Daka, e cila ishte pjesë e panelit, ka elaboruar se Millaku përmes ankesës ka atakuar vendimin e Apelit mbi bazën e shkeljes së ligjit penal, vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike, shkeljeve të dispozitave të procedurës penale dhe ka propozuar që Gjykata Supreme ta aprovojë këtë ankesë, të akuzuarin ta lirojë nga aktakuza apo të ricilësojë veprën penale në vepër penale të vrasjes së kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore apo t’i shqiptojë një dënim më të ulët.
Po ashtu, në ankesën e parashtruar në Gjykatën Supreme avokati Millaku kishte konsideruar se nuk janë vlerësuar rrethanat lehtësuese dhe se gjykatat është dashur që të akuzuarin ta dërgojnë edhe në Institut për vlerësimin e gjendjes mendore dhe shpirtërore në momentin e kryerjes së veprës penale pasi që, sipas tij, i pandehuri kishte qenë i tronditur për vetë faktin që kishte qenë i sulmuar si nga dëshmitaret ashtu edhe nga tani i ndjeri Bekim.
Përgjigje në këtë ankese kishte dhënë Prokuroria e Shtetit, duke propozuar që të refuzohet si e pabazuar ankesa e ushtruar nga mbrojtja dhe që aktgjykimi i Gjykatës Themelore dhe asaj të Apelit të vërtetohen.
Ndërsa avokati i palës së dëmtuar, Ndrecë Dodaj, deklaroi se e mbështet përgjigjen e Prokurorisë së Shtetit.
I akuzuari në këtë rast, Xhafer Bardhi, tha se e mbështet ankesën e mbrojtësit të tij.
Ndërsa vendimin palët do ta marrin përmes Gjykatës së shkallës së parë.
Kryetare e kolegjit ne këtë seancë të Gjykatës Supreme ishte Mejreme Memaj, gjyqtare raportuese Valdete Daka dhe anëtar Rasim Rasimi.
Kujtojmë se Gjykata e Apelit më 13.03.2024 e ka vërtetuar aktgjykimin e shpallur nga Gjykata e Prishtinës duke konfirmuar se Xhafer Bardhi, i akuzuar për vrasjen e B.M. dhe djalit të tij, do të vuajë dënimin me burgim të përjetshëm.
Njëkohësisht Apeli ka konfirmuar se djali i Xhafer Bardhit, i akuzuar nga Prokuroria për bashkëkryerje në vrasje të rëndë, Amir Bardhi, në mungesë të provave do të lirohet.
Përmes njoftimit të shpallur në ueb-faqe, Gjykata e Apelit ka bërë të ditur se e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Prokurorisë së Prishtinës dhe ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit Xhafer Bardhi.
Apeli po ashtu e ka hedhur poshtë si të palejuar ankesën e familjares së viktimave, të të dëmtuarës, S. M. lidhur me pjesën liruese.
Kolegji i Gjykatës së Apelit, i përbërë nga Hashim Çollaku – kryetar, Xhevdet Abazi dhe Zyhdi Haziri, anëtarë, ka konstatuar se Gjykata e shkallës së parë gjendjen faktike në këtë çështje penale e ka vërtetuar në mënyrë të drejtë dhe të plotë nga provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor.
Andaj, në njoftim thuhet se duke marrë parasysh të lartshënuarat dhe detaje të tjera të precizuara në aktgjykim është vlerësuar se konkludimi i Gjykatës së shkallës së parë se i akuzuari Xhafer Bardhi është kryerësi i veprës penale të cekur më sipër është i drejtë dhe se në mënyrë të padyshimtë është vërtetuar.
I njëjti ka ndërmarrë veprimet inkriminuese të cilat përbëjnë tiparet e veprës penale, për të cilën i akuzuari edhe është shpallur fajtor dhe është gjykuar, thuhet ndër të tjera në njoftim.
Ndërsa sa i përket të akuzuarit Amir Bardhi, kolegji i gjykues ka potencuar se me të drejtë është konstatuar se me provat e proceduara në seancën e shqyrtimit gjyqësor nuk mund të vërtetohet se i njëjti ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë në bashkëkryerje.
Ky vendim ishte marrë nga trupi gjykues me kryetar Agim Kuçi, anëtarët Medie Bytyqi dhe Ngadhnjim Arrni.
Prokuroria i akuzon se vrasjen e kanë kryer në bashkëkryerje dhe me motive pronësore pas një mosmarrëveshjeje paraprake.
Dy të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm.
Sipas dosjes së siguruar nga KALLXO.com, për shkak të një mosmarrëveshjeje pronësore më 05.04.2021, rreth orës 20:00, në fshatin Gradicë të Drenasit, të pandehurit Xhafer dhe Amir Bardhi kanë kryer veprën penale vrasje e rëndë.
Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë privuar nga jeta B. M. dhe djalin e tij 15-vjeçar, si dhe kishin vënë në rrezik jetën e të tjerëve V. M., V. M., dhe D. M.
Gjithnjë sipas Prokurorisë, i akuzuari Amir Bardhi kishte qenë duke ecur në pyll me djalin e axhës dhe rrugës kishin takuar të dëmtuarin V. M. dhe të njëjtin i akuzuari e kishte pyetur se: “Çka jeni duke bërë?”, ndërsa i dëmtuari V. M. i kishte thënë se “jemi duke prerë dru në mal”.
Tutje thuhet se Amir Bardhi dhe dëshmitari janë larguar nga aty, se Amir Bardhi ka pritur në rrugën e cila të dërgon deri te vendi ku ka ndodhur ngjarja, ndërsa dëshmitari është larguar drejt shtëpisë së tij.
Tutje në aktakuzë thuhet që Amir Bardhi e ka thirrur në telefon Xhafer Bardhin dhe ky i fundit e ka marrë armën dhe me veturë ka shkuar deri te vendi i ngjarjes. Me të arritur te vendi ka shtënë me armë drejt të dëmtuarve dhe ka goditur 15-vjeçarin, në atë moment në ndihmë i ka dalë i ati dhe të dëmtuarit e tjerë. Pastaj i akuzuari ka gjuajtur përsëri me armë dhe ka goditur në kokë B.M., i njëjti ka ndërruar jetë dhjetë ditë më vonë.
Me këto veprime të akuzuarit sipas aktakuzës kanë kryer veprat penale bashkëkryerje në vrasje të rëndë, ndërsa Xhafer Bardhi akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje.
Raportimet e KALLXO lidhur me këtë rast i gjeni në këtë LINK