Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

I dënuari me 17 vjet burg për drogë në Itali, arrestohet në Durrës

Policia e Shqipërisë ka arrestuar një 62-vjeçar të kërkuar ndërkombëtarisht për veprimtari kriminale në fushën e narkotiktëve. I dënuari me 17 vjet burg në Itali është arrestuar nga Policia e Shtetit në Durrës.

Ky aksion u zhvillua në vijim të operacionit policor për kapjen e personave të kërkuar në nivel kombëtar e ndërkombëtar, derisa i arrestuari do të ekstradohet drejt Italisë.

Personi i arrestuar, Mustafa Shullani kishte edhe tri identitete të tjera: Hasan Shullani, Ferdinand Behari dhe Faje Shullani.

Gjykata e Apelit e Bolonjës në Itali, e ka dënuar 62-vjeçarin me 17 vjet e 1 muaj burgim, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Me qëllim vuajtjen e periudhës prej 11 vjet e 4 muaj burgim, të mbetur nga dënimi total, kjo gjykatë ka lëshuar për këtë shtetas, një urdhër-arrest ndërkombëtar.