Archie Williams - Foto: Sky News

I dënuari gabimisht, favorit për të fituar shoun televiziv “America’s Got Talent”

Një burrë amerikan, i cili i kaloi gati 37 vjet në burg pasi u dënua për një krim të cilin nuk e kishte kryer, tani është favoriti kryesor për të fituar shoun televiziv  “America’s Got Talent”

Archie Williams u dënua nën akuzën për përdhunim dhe therje me thikë të një gruaje në vitin 1982, me gjithë mungesën e provave të ADN-së, raporton kanali televiziv Sky News.

Archie Williams, i cili u shfajësua dhe u la i lirë vitin e kaluar, u tha gjyqtarëve se ai e sheh veten si pjesë të ndonjë spektakli, ndërkohë që e përcillte shfaqjen “America’s Got talent” nga qelia e tij e burgut.

Në vitin 1982, Archie u akuzua për përdhunim dhe therje me thikë të një gruaje të bardhë 30-vjeçare në shtëpinë e saj në Baton Rouge, Luiziana, edhe pse gjurmët e gishtërinjve të tij nuk u gjetën asnjëherë në vendin e ngjarjes.

Tre persona gjithashtu kishin dhënë dëshminë e tyre se Archie Williams ishte në shtëpi në kohën kur krimi kishte ndodhur. Megjithatë, vitin pasues ai u dënua me burgim të përjetshëm pa mundësinë e lirimit me kusht.

Pasi kaloi më shumë se 10 vjet në burgun e sigurisë maksimale në shtetin Luiziana ishte organizata e quajtur ‘Innocence Project’ ajo që mori përsipër rastin e tij.

Innocence Project’ është një organizatë jofitimrprurëse juridike e cila ka si mision korrigjimin e dënimeve të gabuara përmes përdorimit të testimit të ADN-së si dhe ka si synim reformimin e sistemit të drejtësisë në mënyrë që të parandalohen dënimet e gabuara në të ardhmen.

Pas një fushate 24 vitëshe, një analizë e re e gjurmëve të gishtërinjve në vendngjarje e ka bërë identifikimin e një dhunuesi serik si autorin përgjegjës për kryerjen e këtij krimi duke dëshmuar në këtë mënyrë pafajësinë e Richie Williams.

Vetëm shtatë ditë më vonë, të gjitha akuzat kundër Richie Williams janë hedhur poshtë  dhe ai u lirua nga burgu në marsin e vitit 2019.

Performanca e tij në shfaqjen televizive “America’s Got Talent” ishte përshkruar nga kryegjyqtari Simon Cowell si diçka që ai “nuk do ta harronte gjatë gjithë jetës së tij”.

Mbrëmë, më 26 maj 2020, Archie Williams kishte performuar me këngën e Elton John të vitit 1974 “Don’t Let The Sun Go Down On Me”

Ishte vetë legjenda e muzikës botërore Elton John, i cili përmes llogarisë së tij në Twitter kishte deklaruar se “nuk kishte mundur të përmbahej nga lotët” duke e shikuar përformancën e Archie Williams dhe duke e krahasur shpirtin e Archie-t me atë të Nelson Mandelas, liderit shpirtëror jugafrikan.

Ndërkohë, vetë Archie Willimas paraqitjen e tij në shfaqjen televizive “America’s Got Talent” e kishte përshkruar si “rastin e jetës së tij.”