Flamur Rexhaj deri sa po rrahte një person brenda stacionit policor, Foto: KALLXO.com

I dënuar për dhunë e i dyshuar për fajde, polici i Kosovës shihet gjatë një ligjerate para nxënësve në Pejë

Zyrtari policor, i dënuar me gjobë për dhunë fizike ndaj një personi brenda stacionit policor, i suspenduar më parë për dyshime për përfshirje në vepra penale, Flamur Rexhaj, më 20.11.2024 u pa të ishte pjesë e një ligjërate në një shkollë në Pejë.

Zyrtari policor i denoncuar për fajde e i dënuar për dhunë fizike ishte pjesë e ekipit të Policisë që u pa në një organizim për të vetëdijesuar fëmijët se si të mbrohen nga trafikimi.

Aktiviteti ishte mbajtur në Shkollën “Asdreni” në Pejë ndërsa bashkë me Rexhajn në panel shihen se janë edhe prokurorja e Pejës, Sanije Gashi- Seferi.

E nga shkolla “Asdreni” për KALLXO.com kanë thënë se Policia kishte dërguar zyrtarët të cilët u paraqitën me vonesë në ligjeratë.

Drejtoresha e shkollës “Asdreni” në Pejë, Agime Lajqi, ka thënë për KALLXO.com se aktivitetin e organizoi institucioni që drejton.

“Shkolla e ka organizuar aktivitetin dhe ka kërkuar nga komandanti i Policisë, Prek Tuna, që të marrë pjesë në ligjeratë trajnerja Arbresha, ku edhe vet e kam kontaktuar policen për të bashkëpunuar rreth aktivitetit. Po ashtu është ftuar edhe prokurorja. Policia më ka njoftuar se do ta dërgojnë policin e komunitetit të shkollave, Avni Selmanaj, dhe edhe pse patën ardhë me vonesë policia me prokuroren kemi filluar ligjëratën. Kur kanë ardhë Policia kanë thënë se janë nga komuniteti i shkollave. Unë kisha kërkuar Arbreshën, policen, me të cilën kisha bashkëpunim edhe më herët por komandanti kishte dërguar personat që ishin prezentë. Polici në fjalë nuk ka ligjëruar”- ka thënë Agime Lajqi për KALLXO.com përmes Zyrës për Informim të Komunës së Pejës.

Polici Flamur Rexhaj, i cili është dënuar me 800 euro gjobë nën akuzën për dhunë fizike që pretendohej se kishte ushtruar ndaj një personi brenda stacionit policor, shihet i ulur në panelin e ftuar për të ligjeruar për mbrojtjen e fëmijëve nga trafikimi.

E ndonëse ishte dënuar për dhunë ai prapë ishte kthyer në Polici për të punuar pa pasur ndonjë problem për këtë çështje.

Në emisionin “Kallxo Përnime” në maj të vitit 2024 ishte publikuar hulumtimi në te cilën tregohej se si një familje në Pejë pretendon se e humbi pronën e tyre në fajde.

Naser Brdakiç pretendonte se mori para me fajde nga zyrtari policor, Flamur Rexhaj.

Ai kishte vendosur të flasë për fajdenë ekskluzivisht për “Kallxo Përnime”, vetëm pasi gjykata vendosi që t’i largojë nga shtëpia me anë të përmbarimit.

KALLXO.com ka kërkuar sqarime nga Policia në Pejë se si një zyrtar policor i njohur për veprime të pahijshme, i dënuar për dhunë e për të cilin pati pas edhe raportime për fajde vendoset në panelin ligjërues para fëmijëve që të vetëdijesojë ata.

Policia tregon qëllimin e aktivitetit ku mori pjesë polici Flamur Rexhaj dhe rolin e tij aty në mesin e ekipit që ligjëroi.

“Sipas aktivitetit qëllimi ka qene qe nxënësit të njoftohen për dukuritë negative, rreziqet dhe pasojat e keqpërdorimit të tyre. Ligjërata kishte për qëllim njoftimin e nxënësve edhe për Ligjin për të drejtat dhe përgjegjësitë që u takojnë si të mitur”- thuhet në përgjigjen e komandantit të stacionit policor në Pejë, Idriz Atashi.

Sipas Atashit, polici Rexhaj nuk ka ligjëruar por vetëm ka qenë shoqërues.

“Lidhur me interesimin tuaj për pjesëmarrjen e policit Flamur Rexha siç thuhet se ka ligjëruar ju njoftoj se ai nuk ka qenë i caktuar për mbajtje të ligjëratave por ka shkuar së bashku me rreshter Avni Selmanaj duke kryer detyra sektoriale dhe pas ftesës që i është bërë rreshterit nga prokurorja kanë shkuar së bashku por nuk ka pasur asnjë rol në ligjërim”- thotë tutje Atashi për KALLXO.com.

“Ligjëruese ka qenë Hetuesja Besnike Kelmendi ndërsa rreshteri Avnija është ftuar nga prokurorja si pjesëmarrës në ligjëratë në kuadër të një zbatim Plani për Sigurinë në shkolla dhe kontaktet me drejtorët e shkollave, pasi janë kryer ligjëratat Rreshteri Avnija se bashku më Policin Flamur Rexhaj kane vazhduar më detyra tjera sipas planit ditor”- vazhdon arsyetimi i komandantit të stacionit.

Vetë komandanti i stacionit konfirmon se Rexhaj ka qenë i suspenduar e hetuar në të kaluarën për dyshime për kryerje të veprave penale.

“Unë personalisht dhe të gjithë ne jemi te prirur dhe besojmë në drejtësi sikur të gjitha keto pretendime të ishin vërtetuar Polici Flamur Rexhaj nuk do te ishte kthyer prapë në uniformë, pas suspendimeve dhe dyshimeve te cilat janë trajtuar si nga ana e Policisë se Kosovës dhe Institucioneve të Drejtësisë”- ka thënë Atashi për Kallxo.com.

Në lidhje me këtë çështje, KALLXO.com ka kërkuar sqarim edhe nga prokurorja që mori pjesë në ligjërim dhe ta sqarojë faktin se pse pranoi të ligjërojë në një tavolinë me një zyrtar policor të cilin Prokuroria e Pejës e kishte hetuar.

“Kam qenë e ftuar për këtë ligjërim si prokurore për të mitur dhe siç e potencova me lartë kam përfaqësuar institucionin e Prokurorisë Themelore në Pejë. Andaj, sa i përket pjesëmarrësve tjerë në ketë ligjërim nga institucionet tjera, as nuk mbaj përgjegjësi dhe as nuk është në domenin tim për përcaktimin e ekipeve tjera institucionale për pjesëmarrje në këto aktivitete”-ka thënë prokurorja Sanije Gashi-Seferi.

Në anën tjetër, polici Flamur Rexhaj sipas komandantit Idriz Atashi kryen detyra në stacionin policor në Pejë si polic sektorial dhe nuk ka ndonjë procedurë të iniciuar për ndonjë shkelje.