I dënuar me burg për vrasje në tentativë, polici vazhdon të punojë dhe të mbajë armën zyrtare

Në mëngjesin e 4 gushtit të vitit 2015 tre persona ishin plagosur me armë zjarri

Valon Kleçka dhe dy persona të tjerë kishin marrë plagë nga arma në disa pjesë të trupit ndërsa i përfshirë në rast ishte edhe një zyrtar policor, i cili dyshohej se plagosjen e kishte kryer me armë zyrtare.

Ekzaminimet e urdhëruara nga Prokuroria në Ferizaj kishin dëshmuar se polici Adem Cani kishte shtënë me armë zyrtare 14 herë.

Në emisionin e sotëm “Kallxo Pernime” po transmetohet hulumtimi i cili tregon se një zyrtar policor i dënuar për vrasje të rëndë në tentativë sot ushtron ende profesionin e njëjtë ani pse kishte plagosur tre persona me armë zyrtare dhe ndaj tij sot ka një dënim të formës së prerë.

Ngjarja kritike ku polici ishte i dyshuari për vrasjen ne tentativë, kishte ndodhur rreth orës 4:00 të mëngjesit të 4 gushtit të vitit 2015. Në oborrin e një restoranti në një nga zonat e Ferizajt dosja e Prokurorisë tregon se fillimisht të përfshirët në këtë rast kishin pasur një konflikt i cili përfundoi me plagosje.

Adem Cani është zyrtar policor i cili punon në njësinë e kontrollit dhe sigurisë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës. Ai ani pse tash e më shumë se pesë vite po përballet me akuza të rënda për vrasje të rëndë në tentativë vazhdon të ushtrojë pozitën e tij madje edhe mban armën zyrtare.

Valon Kleçka, i dënuar për përfshirje në rrahje, ka treguar se ngjarja për të cilën është dënuar ai nuk është zbardhur asnjëherë deri sa shton se me policin nuk kanë pasur probleme të tilla asnjëherë.

“Unë i kam majtë 2 muaj paraburgim, polici i ka majtë diku 7 muj pasi janë kry ekspertizat se unë nuk kam gjujtë me armë unë jam liru nga paraburgimi ndërsa polici ka vazhdu me qëndru në paraburgim ndërsa mas 7 muajve është liru prapë është kthy në punë”, rrëfen Kleçka ndërsa shton se nuk ka siguri që të shkojë në Aeroport pasi që polici Adem Cani punon aty.

Valon Kleçka i dënuar së bashku me policin Adem Cani, Foto: KALLXO.com

“Mu më ka ra me u taku sepse kam familjarë jashtë vendit, e kam parë 3-4 herë por jam shmang, ai me revole e me armë të gjatë, unë kam dalë te porta. Deri sa punon aty e mua më bjen me shku me marr familjarë unë e ndi veten të rrezikar”, shton ai.

Vitin e kaluar, pra më 2020, Gjykata e Ferizajt kishte marrë vendim që polici Adem Cani e edhe Valon Kleçka të dënoheshin me burg.

Në janar të këtij viti Gjykata e Apelit kishte vendosur që të mos aprovonte kërkesat dhe ankesat e avokatëve të të dënuarve ndërsa ka vendosur që Adem Cani të dënohet me burgim efektiv prej 4 vite e 6 muaj burg ndërsa Valon Kleçkën me 4 muaj.

Polici sot edhe pse me vendim të Gjykatës së Apelit vazhdon të punojë në njërën nga pikat kryesore dhe sensitive në aspektin e sigurisë, Aeroportin e Prishtinës.

Dosja e Prokurorisë në Ferizaj përshkruan në detaje se çka kishte ndodhur natën kritike ndërsa polici në dëshminë e tij kishte treguar se nuk ka qenë në punë por në pushim mjekësor pasi kishte pasur probleme shëndetësore.

Ai kishte përshkruar se ishte rrethuar nga rreth 20 persona ndërsa kishte vepruar në bazë të asaj që thotë ligji që të përdor forcën e arsyeshme, atë proporcionale dhe të domosdoshme ndërsa plagosi me armë zyrtare tre persona.

Një vendim të tillë ende nuk e kanë pranuar Policia e Kosovës por edhe Inspektorati i Policisë së Kosovës, qëllimi i këtij të fundit i cili është hetimi i veprave penale të zyrtarëve policorë.

IPK tregon cilat kanë veprimet që kanë ndërmarrë duke thënë se nuk janë kompetentë që të bëjnë ndërprerje të marrëdhënies së punë por shkojnë me rekomandim.

“Hetuesit e IPK në vitin 2015 kanë reagu në këtë rast duke arrestuar dy persona një prej tyre zyrtar policor. Pastaj është dërguar kallëzimin penal nën dyshimin se polici ka kryer veprën penale vrasje të rëndë në tentativë. Si institucion nuk kemi pranuar këtë vendim. Momentin që pranohet ky vendim do të i dorëzohet edhe policisë që të njëjtit të vazhdojnë me procedurat administrative disiplinore”, thotë zëdhënësi i IPK-së, Arbër Beka.

Ai tutje shton se do të ndërmarrin veprime në lidhje me rastin në bazë të kompetencave që i ka IPK.

“Ne do të kontaktojmë me Drejtorinë për Hetim të Brendshëm dhe Verifikim që të shohim në aspektin administrativ disiplinor se ku ka shkuar ky rast. Kur e kemi dorëzu kallëzimin penal dhe është ngritur aktakuza ne kemi njoftuar Policinë e Kosovës ku jepen detajet për veprimet që ka ndërmarrë IPK ndaj policit. Secila përfshirje e zyrtarit policor në vepra penale e dëmton imazhin e Policisë”, shton tutje Beka.

Në anën tjetër në lidhje me këtë rast, KALLXO.com ka kontaktuar edhe me policin Adem Cani.

I njëjti nuk ka pranuar që të deklarohet në lidhje me pretendimet, aktakuzën dhe dënimin nën arsyetimin se nuk ka marrë leje nga ana e menaxhmentit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës.

Shpend Maliqi, Komandant i Stacionit në Aeroportin e Prishtinës, Foto:KALLXO.com

Shefi i Canit, Shpend Maliqi, komandant i stacionit në Aeroportin e Prishtinës në lidhje me këtë rast ka thënë se nuk ka kompetenca për të larguar dikë nga puna në rast se nuk kanë pranuar ndonjë vendim përfundimtar nga organet e drejtësisë deri sa shpjegon se polici sot punon në kontroll të dokumenteve dhe siguri.

“Ne nuk kemi autoritet me largu. Për rastin jam në dijeni, nuk ka ndodhur në Aeroport por në një qytet tjetër. Nuk është marrë Njësia e Aeroportit me rastin, janë marrë IPK. Ne ju garantoj se nuk kemi vendim të gjykatës për të. Momentin që do të kemi do të veprojmë”, thotë Maliqi ndërsa shton se ai nuk ka ndonjë pozitë senzitive në Aeroportin e Prishtinës.

Komandanti i stacionit, Shpend Maliqi, tregon se nuk kanë të drejtë t’ia marrin armën pa pasur një vendim se të njëjtit i është shkëputur kontrata e punës.

“Armën e mban por nuk e kemi atë të drejtë me ia marrë armën sepse ende nuk kemi pranuar vendim nga ana e gjykatës. Me sa kam njohuri e ka kthy prokurori i lëndës edhe pse nuk ka qenë pjesë e imja kjo edhe kur është kthy unë nuk kam qenë në menaxhim por me sa kam njohuri është kthyer nga prokurori”, tha ai, derisa tregon se do të kërkojë me urgjencë informacione në lidhje me rastin e policit të tij.

Maliqi e pranon se veprimet e tilla të zyrtarëve policorë e dëmtojnë imazhin e Policisë, ndërsa shton se të gjitha veprimet ndaj policit Adem Cani do të merren pasi të pranojnë vendimin e gjykatës kompetente.

Prokuroria e Ferizajt mohon të ketë urdhëruar kthimin e armës në Policinë e Kosovës, e cila armë më pas i është kthyer sërish policit i cili në vitin 2015 kishte qëlluar me të njëjtën armë 14 herë, e ku u plagosën tre persona.

“Menjëherë pasi ka ndodhur rasti të gjitha njësitet kanë dalë në vendin e ngjarjes, janë bërë ekzaminimet, është marrë arma zyrtare dhe është konstatuar se nga arma zyrtare janë shkrepur 14 plumba. E njëjta armë është kthyer në Policinë e Kosovës me urdhër të IPK sepse prokurori nuk është kompetent me kthy armën”, tregoi për KALLXO.com kryeprokurori i Prokurorisë së Ferizajt, Shukri Jashari.

Në lidhje me çështjen se kush i ktheu armën policit i cili siguron Aeroportin, KALLXO.com ka kërkuar sqarime të tjera nga Inspektorati Policor i Kosovës.

“Lidhur me rastin në fjalë respektivisht kthimin e armës zyrtare, IPK ju njofton se pas përfundimit të të gjitha procedurave të ekzaminimit të armës zyrtare, pas konsultimit me prokurorin e çështjes, (pasi që kanë përfunduar procedurat e ekzaminimit të armës),  hetuesit e IPK-së janë  udhëzuar verbalisht nga prokurori i rastit (që ka udhëhequr me hetimin e rastit në fjalë) që arma zyrtare t’i kthehet Policisë së Kosovës”, thuhet në një përgjigje për KALLXO.com nga Inspektorati Policor i Kosovës.

Dosja e Prokurorisë në Ferizaj tregon se polici Adem Cani kishte kërkuar edhe largimin e trupit gjykues por edhe të kryeprokurorit Shukri Jashari dhe rasti të bartej në Prishtinë.

Departamenti i Standardeve Profesionale, i cili trajton të gjitha rastet e zyrtarëve policorë të cilët përfshihen në raste penale, numëron dosje të shumta të zyrtarëve policorë të cilët përfshihen në raste të ndryshme.

Drejtori i Divizionit të Standardeve Profesionale në Policinë e Kosovës, Izet Azizi, Foto:KALLXO.com

917 zyrtarë policorë sipas të dhënave të Policisë së Kosovës janë duke u përballur me sistemin e drejtësisë nën dyshimet se të njëjtit kanë marrë pjesën në vepra të ndryshme penale.

“Jam marrë edhe me këtë rast, ne në aspektin disiplinor e kemi pasur rastin e pezulluar kemi prit që IPK e siguron vendimin e gjykatës dhe e sjellë në Policinë e Kosovës”, thotë drejtori i Divizionit për Standarde Profesionale brenda Policisë së Kosovës, Izet Azizi.

Ai tutje shton se në rastin e policit Adem Cani procedura thuajse dihet për shkak të vendimit të gjykatës.

“Nuk ka zgjidhje tjetër sepse është e përfunduar. Vendimi duhet të merret brenda 30 ditëve. Nuk mendoj që komisioni disiplinor pret 30 ditë sepse është një rast i ndishëm. Nuk ke zgjidhje tjetër”, vazhdoi Azizi.