Gjykimi i Asdren Mekajt - Foto: KALLXO.com

I dëmtuari në gjykimin për detyrim: Vazhdimisht kam qenë i detyruar t’i bindem Asdren Mekajt

Gjykimi ndaj Asdren Mekaj, i cili nga Prokuroria Speciale po akuzohet për veprën penale të detyrimit, ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit.

Gjykimi i sotëm filloi rishtas pasi që ishte ndërruar anëtari i trupit gjykues. Më pas, u vazhdua me fjalën hyrëse të palëve dhe me leximin e provave.

Pal Gruda, i dëmtuari në këtë rast, mbi 4 orë edhe në seancën e sotme është marrë në pyetje nga avokati i palës së akuzuar, Besnik Berisha.

Përpara trupit gjykues, i dëmtuari Pal Gruda deklaroi se në Tiranë kishte shkuar vetëm për studime dhe kishte rënë pre e një mashtrimi nga ana e Asdren Mekajt.

Tutje ai tha se i akuzuari Mekaj e ka pasur nën kontroll tërë jetën e tij, që nënkupton se “ka menaxhuar me jetën, telefonat, bisedat”.

I dëmtuari nuk kishte guxuar që rastin ta paraqesë në Polici sepse, siç tha, do ta rrezikonte familjen e tij.

“Rastin në Tiranë nuk e kam paraqitur në Polici sepse nuk kam guxuar, pasi që daja i tij, Toti, ka pasur shumë ndikim në shumë njerëz dhe grupe në Shqipëri”, shtoi i dëmtuari Gruda.

Më pas, dëshmitari rrëfeu se para vitit 2013 ka pasur takime në mes familjes Mekaj dhe familjes së tij për ta zgjidhur këtë çështje.

I dëmtuari gjithashtu tregoi edhe për aktin noterial të lidhur në Tiranë për të cilën tha se e kishte bërë nën kërcënim dhe se nuk kishte pasur zgjidhje tjetër vetëm se ta nënshkruajë atë.

Avokati Berisha e pyeti Pal Grudën lidhur me makinat dhe të hollat të cilat ia kishte dhënë ai Asdren Mekës, se a kishte nënshkruar ndonjë dokument?

Në këtë rast, i dëmtuari Gruda deklaroi se nuk kishte shkruar asgjë pasi që nuk ka guxuar të mbajë ndonjë shënim sepse ka qenë i frikësuar.

Avokati Berisha tutje në gjykim prezantoi edhe disa biseda të cilat siç tha ai kanë qenë të realizuara në “Facebook” dhe me anë të  “SMS” në mes të Asdren Mekaj dhe të dëmtuarit.

Për këto pretendime, i dëmtuari mohoi të ketë biseduar, pasi që sipas tij gjithçka ishte e orkestruar.

“Bisedat nuk janë të miat, dua të them se Asdren Mekaj e ka pasur komplet jetën time në dorë, ka kontrolluar çdo lëvizje timen dhe unë s’kam bërë biseda me të”, tha i dëmtuari.

Ndërkaq, i dëmtuari gjithashtu deklaroi se i ishte tjetërsuar deklarata e dhënë në Polici mirëpo ai nuk e ka ditur këtë gjë dhe nuk kishte bërë denoncim për ndryshimin e deklaratës.

I dëmtuari Gruda gjithashtu deklaroi se e ndiente vetën të dëmtuar dhe për kërkesë pasurore juridike do t’ia lërë gjykatës për vendosjen dhe lartësinë e kërkesës në fjalë.

Për shkak të përfundimit të orarit të punës, seanca e sotme u ndërpre dhe seancat e radhës u caktuan për më 2 dhe 3 dhjetor 2021.

Më 17 janar 2018, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë kundër Asdren Mekaj për shkak të kryerjes së veprës penale – detyrimi.

Sipas aktakuzës, vepra penale është kryer në atë mënyrë që i pandehuri gjatë periudhës kohore nga viti 2010 deri në fund të vitit 2013, ka përdorur shantazh dhe kërcënime të rënda, personalisht si dhe përmes personave të tjerë të armatosur që ta detyrojnë të dëmtuarin Pal Gruda që t’i japë të holla të gatshme dhe t’i blejë vetura të shtrenjta, sipas kushteve të cilat i pandehuri vetë i ka caktuar.

Në këtë mënyrë i ka sjellë vetes dobi të kundërligjshme në vlerë prej rreth 200 mijë euro.

Me këto veprime i pandehuri Mekaj ka kryer këto vepra penale të detyrimit.

Mekaj ka qenë i akuzuar edhe për veprën penale të shantazhit, por Gjykata e Prizrenit më 31 gusht 2019, ka marrë aktvendim me të cilin e ka pushuar procedurën penale lidhur me këtë pikë të aktakuzës, me arsyetimin se Prokuroria nuk ka prova të mjaftueshme.