Detaje si e porositi i burgosuri i Dyzit vrasjen e gardianit

I dënuari i cili përmes telefonit kishte porositur vrasjen e një zyrtari korrektues brenda Burgut të Sigurisë së Lartë, është person me rrezikshmëri të lartë.

Kështu ka thënë në një bisedë telefonike me KALLXO.com, Drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ali Gashi.

Gashi shpjegoi edhe se si ishte kuptuar kjo telefonatë.

Fillimisht i dënuari i cili edhe aktualisht është duke vuajtur dënimin në burgun e Dyzit, përmes telefonit deri sa ishte duke biseduar me një ish- të dënuar ka porositur këtë të fundit që të kryej vrasjen e një oficeri korrektues.

Këtë telefonatë e ka dëgjuar një zyrtar i cili menjëherë ka lajmëruar edhe organet përgjegjëse brenda burgut si dhe policinë.

Policia ka njoftuar se ndaj të dënuarit është hapur rasti si kanosje.

Gashi tregon për hapat që kanë ndërmarrë pas këtij rasti.

“Kemi të bëjmë me një kanosje, ai është i dënuar por unë i kam porositur zyrtarët që të ruajnë qetësinë dhe të veprojnë profesionalisht. Të hënën do të bisedojmë për të dhe ndoshta do ta lëvizim brenda institucionit tonë. Ai është duke u përcjellë gjatë gjithë kohës me kamerat e sigurisë të cilat janë të vendosura në gjithë hapësirat e burgut”, tha Gashi.

KALLXO.com raportoi sot në lidhje me këtë çështje.

Një i burgosur në Dyz, porosit përmes telefonit vrasjen e një oficeri korrektues