ARKIV: Arrestim i një të dyshuari nga Policia e Kosovës - Foto: KALLXO.com

I arrestuari sonte në Prishtinë për dhunë në familje në muajin shkurt u lirua nga akuza për terrorizëm

Sonte në rrugën ‘Bill Klinton’ një person me inicialet K.M. u arrestua nga Policia e Kosovës, nën dyshimin për dhunë në familje dhe kërcënim me armë ndaj policëve.

KALLXO.com merr vesh se i njëjti person në muajin shkurt të këtij viti është liruar nga akuza për terrorizëm.

32-vjeçari K.M. bashkë me një person tjetër akuzoheshin se kishin udhëtuar drejt Sirisë për qëllime terrorizmi.

Më 11 shkurt 2021, Gjykata në Prishtinë ka bërë shpalljen e aktgjykimit, sipas të cilit, në mungesë të provave të dy të akuzuarit ishin liruar nga akuza.

Sipas aktakuzës, K.M. dhe L.T. dyshoheshin se kanë udhëtuar për qëllime terrorizmi për në Siri dhe se më 2 shtator 2019, përmes pikës kufitare të Hanit të Elezit, e kanë lëshuar Kosovën.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, ata dyshoheshin se kanë udhëtuar për në Stamboll, me qëllim që të shkojnë në Siri dhe t’u bashkangjiten organizatave terroriste që veprojnë atje, ku kanë qëndruar deri më 6 shtator 2019.

Aktakuza theksonte se të njëjtit më pas janë zënë nga autoritetet turke në kufirin Turqi-Siri, janë arrestuar dhe më 17 dhjetor 2019 u janë dorëzuar autoriteteve të Kosovës.

Prishtinë, një person i arrestuar për dhunë në familje, kërcënoi edhe policët