I arrestuari në Istog dyshohet se e kishte dhunuar vajzën e vëllait të tij

Një rast i dhunimit të një vajze të mitur dyshohet se ka ndodhur në Istog. Sipas Policisë, e mitura ka raportuar se është dhunuar nga një i afërm i saj.

Siç mëson KALLXO.com, i dyshuari, person madhor, dyshohet se ka dhunuar vajzën e vëllait të tij.

Ndërkaq, Policia e Kosovës ka dhënë detaje shtesë lidhur me rastin, që është raportuar dje, mirëpo që dyshohet të ketë ndodhur në shtator të vitit të kaluar në Istog.

Policia në raportin 24 orësh ka bërë të ditur, se mosha e viktimës është 15-vjeç, dhe ajo ka pranuar trajtimin e nevojshëm mjekësor dhe psikiatrik.

Ndërsa, për të dyshuarin Policia ka thënë se ai është arrestuar dhe nga ana e prokurorit i është caktuar ndalimi policor prej 48 orësh, mirëpo i njëjti gjendet në Spital për shkak të një operimi të mëhershëm.

Policia tha se i dyshuari gjendet nën mbikëqyrje e zyrtarëve policorë.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi tha për KALLXO.com se dje gjatë ditës, më 24 tetor 2022, rreth orës 13:30, në stacionin policor në Istog është paraqitur e mitura, e cila ka thënë se në muajin shtator të 2021-ës është dhunuar nga një i afërm i saj.

Ndërsa, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi ka thënë për KALLXO.com se i dyshuari është në ndalim për 48 orë.

“Prokuroria e Pejës do t’i ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për ndriçimin e kësaj çështje penale” – tha ai.

Tutje Nikçi tregoi se brenda afatit ligjor do të bëhet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit.