
Foto: Ilustrim
I arrestuar duke marrë ryshfet, zyrtari i Autoritetit Qendror të Prokurimit dënohet me burg dhe gjobë
Gjykata e Prishtinës e ka dënuar me 2 vite burgim dhe 2 mijë euro gjobë zyrtarin e Autoritetit Qendror të Prokurimit, Mursel Racaj, të cilin Policia e kishte kapur në flagrancë duke marrë 8.000 euro ryshfet.
Kurse të pandehurit Arian Buqaj, Gjykata i ka shqiptuar dënim me burgim me kohëzgjatje prej 6 muajsh si dhe dënim me gjobë në shumën prej 1.000 euro. Por me pëlqimin e të akuzuarit dënimi me burgim do të zëvendësohet në dënim me gjobë prej 5.000 euro.
Sipas Prokurorisë, Mursel Racaj në cilësinë ë personit zyrtar, në Agjencinë Qendrore të Prokurimit, me qëllim që vetes t’i sjellë dobi pasurore, në muajin mars të vitit 2021 kishte kërkuar ryshfet nga i dëmtuari A.H., pronar i firmës “AS Security”.
I dëmtuari kishte aplikuar për një tender për sigurim fizik të objekteve të Agjencisë me vlerë 409.374 euro.
Më 10.3.2021 pretendohet se Racaj i ka kërkuar të dëmtuarit shumën prej 20.000 euro (5% të vlerës së çmimit të favorshëm të tenderit), me qëllim që tashmë i dëmtuari të jetë fitues i këtij tenderi.
Më 10.9.2021 i pandehuri në zyrën e tij në Autoritetin Qendror të Prokurimit ka pranuar para në formë të ryshfetit në shumën 8.000 euro nga i dëmtuari A.H., para të cilat kanë qenë të fondit të Policisë së Kosovës.
Me këtë veprim i njëjti ka kryer veprën penale marrje e ryshfetit
Sipas dosjes së siguruar nga KALLXO.com, i pandehuri tjetër Arian Buqaj, në bashkëkryerje kishte ndihmuar të pandehurin Racaj në kryerjen e kësaj vepre penale.
Dosja sqaron se i pandehuri Racaj kishte premtuar që një pjesë të parave të marra në formë të ryshfetit do t’i ndajë me të akuzuarin tjetër.
I pandehuri Buqaj pjesën e parave e kishte marrë dhe e kishte dërguar në një bodrum të një banese, para këto të cilat ishin të Policisë të përdorura për masën e simulimit.