Shpallja e vendimit në lidhje me Leonard Muriqin (17.08.2022), Foto: KALLXO.com

I akuzuari të cilit i është ngritur aktakuza për 20 minuta dënohet me një vjet burg

Prokuroria e Prishtinës në afat rekord ka ngritur aktakuzë kundër Leonard Muriqit për shkak të armëmbajtjes pa leje.

Hetimet ndaj tij kishin filluar në 14:25 minuta ndërsa aktakuza ishte ngritur në 14:49, e shqyrtimi fillestar ishte mbajtur po të njëjtën ditë në ora 16:00.

Muriqi sot u dënua me një vjet burg ndërsa dje kishte pranuar fajësinë për veprën e cila i vihej në barrë.

E pazakonta e këtij rasti është se prokuroria në aktakuzë ka paraqitur edhe propozim për caktimin e paraburgimit.

Ndërsa në aktakuzë nuk shihet që prokurorja ka bërë ekspertizë balistike lidhur me armën që prokuroria ka akuzuar Muriqin.

Tutje në seancën e djeshme kryetarja e trupit gjykues Fatime Dermaku, kishte kërkuar nga prokurorja Dulina Hamiti, sqarimin lidhur me propozimin e prokurorisë pasi seanca ishte fillestare për shqyrtim të aktakuzës e jo seancë dëgjimore për paraburgim.

Paraburgimi ishte refuzuar nga kryetarja e trupit gjykues.

Me rastin e shpalljes se aktgjykimit gjyqtarja tha se arsyeja e shqiptimit te këtij dënimi me burg është se i akzuari është recidivist i veprave të njëjta penale.

Ajo shtoi se i akuzuari me herët ishte dënuar me gjobë dhe kështu nuk është arritur qëllimi i dënimit.

KALLXO.com ka raportuar dje për këtë rast.

Rekordi i Prokurorisë së Prishtinës: Qytetarit nga Peja i ngrihet aktakuzë rreth 20 minuta pas fillimit të hetimeve