I akuzuari se kultivoi kanabis në vazo në banesën e tij nuk paraqitet në gjykatore

 

Ka dështuar të mbahet seanca sot më datë 01.08.2024, ndaj të akuzuarit Egzon Krasniqi. Ai akuzohet nga Prokuroria se ka kultivuar bimë narkotike në vazo, e të cilat pretendohet se iu gjetën në dritaren e banesës.

Gjyqtari Artan Sejrani në seancë bëri të ditur se nuk ka kushte ligjore për t`u mbajtur seanca, si shkas i mos pranisë së të pandehurit Egzon Krasniqi.

E njëjta seancë u caktua për datën 14.08.2024.

Dosja e Prokurorisë, të pandehurin Egzon Krasniqi e ngarkon me veprën penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit”.

Prokurorja e Shtetit – Ervehe Gashi kishte ngritur aktakuzë më datë 11.07.2024 nën dyshimin se i pandehuri Egzon Krasniqi më datën 27.03.2024, rreth orës 11:15, në Prizren, pikërisht në banesën e tij pa autorizim kultivon bimën e kanabisit me qëllim të prodhimit të narkotikëve ose substancave psikotrope.

Policia gjatë kontrollit në banesën e të pandehurit në fjalë kishte gjetur dy rrënjë të bimës marihuanë në peshë prej 0.67 gram.

Sipas aktakuzës thuhet se ‘’Gjatë kontrollit të kryer nga ana e zyrtarëve policor nga Njesiti i hetimeve të Stacionit Policor në Prizren, në banesën e tij, saktësisht në dritare të banesës, kanë gjetur dy rrënjë të bimës marihuanë të mbjella në vazo’’.

Nga aktakuza thuhet se nga testi fushor rezulton se të njëjtat përmbajnë llojin e bimës marihuanë.