Gjykimi i Bledart Elshanit

I akuzuari pranon se e kërcënoi Ramush Haradinajn

Bledart Elshani, 23 vjeçar, pranoi sot para gjykatës se ka bërë shtytje për kryerjen e veprave terroriste dhe ka mbajtur armë pa leje .

Ndër tjerash, Prokuroria Speciale e akuzon Elshanin edhe për kërcënim të tashmë kryeministrin në detyrë, Ramush Haradinaj.

Elshani në seancën fillestare për këtë rast ka thënë se është “penduar thellë për këto vepra”.

Mbrojtësi i tij, avokati Isak Hoxha, i propozoi gjykatës që ta aprovojë pranimin e fajësisë sepse i akuzuari e ka kuptuar rëndësinë e pranimit të fajësisë.

Prokurori Special Afrim Shefki gjithashtu propozoi që të aprovohet pranimi i fajësisë sepse është dhënë në mënyrë vullnetare dhe në përputhje me të gjitha provat material.

Trupi gjykues special i udhëhequr nga gjykatësja Shadije Gërguri, i aprovuan pranimin e fajësisë.

Prokurori i propozoi gjykatës që gjatë shqiptimit të dënimit t’i merren parasysh rrethanat rënduese si:  rrezikshmëria shoqërore e veprës penale, pesha e veprës penale dhe shqetësimi i shkaktuar te  qytetarë e Republikës së Kosovës  poashtu propozoi që thika e gjetur të konfiskohet, ndërsa si rrethanë lehtësuese të merrët pranimi i fajësisë.

Ndërsa avokati Isak Hoxha, në fjalën përfundimtare i propozoi gjykatës që të akuzaurin ta dënojë nën minimumin e paraparë ligjor për veprat penale duke i marrë parasysh rrethanat lehtësuese si pranimin e fajësisë, moshën e re, shkollimin e ulët, gjendjen e rëndë financiare..

Shapllja e vendimit për këtë rast pritet të  bëhet me datën 13.09.2019  në ora 10:00

Sipas prokurorisë i akuzuari nga muajin gusht 2018 deri në muajin janar 2019, si administrator i kanalit ‘’Luajt e shkretëtirës’’ me anë të fotografive dhe incizimeve ka përkrahur  haptazi veprimet e organizatës terroriste ‘’ISIS’’  për sulmet e fundit në botë dhe me datën 23.08.2018 kishte postuar foton e animuar me mbishkrim ‘’ Melodia e parapëlqyer e muhaxhidit është zëri i qafirit gjatë heqjes së kokës”.

Gjithnjë sipas aktakuzës me datën 10.01.2019  në kanalin e tij ka postuar foto me përmbajtje kërcënuese ndaj kryeministrit Ramush Haradinja me mbishkrimin ‘’ Do të ju vijë fundi o taguta shqiptarë bi’idhnilahë’’, i bërë nga një person i maskuar në prapavijë të së cilit shihet flamuri i ISIS-it.

Pasi të akuzuarit Elshani i është ekzaminuar telefoni dhe një USB i janë gjetur fotografi, video me përmbajtje inkriminuese të kryera nga ISIS-i në luftën e Sirisë dhe Irakut.

Gjithnjë bazuar në aktakuzë me datën  11 janar 2019, pasi që i akuzuari u kontrollua nga ana e Policisë në Drenas rezultoi se kishte poseduar një armë të ftohtë thikë luftarake me gjatësi 24 cm dhe gjatësi tehu me gjemba 11 cm, duke kryer kështu veprën armëmbajtje pa leje.