Foto: KALLXO.com

I akuzuari për vrasjen në Suharekë: Resmija donte t’ia linte fajin shokut të burrit të saj

Reshat Ademi, i akuzuar për vrasjen e Abedin Bytyqit, sot ka dhënë mbrojtjen e tij përpara Gjykatës së Prizrenit.

Ai mohoi të kishte kontaktuar me Resmije Bytyqin para se të ndodhte rasti. Mirëpo, pasi kishte marrë vesh për zhdukjen e Abedin Bytyqit, burrit të Resmije Bytyqit, ai ishte interesuar lidhur me ngjarjen.

“Kam pasur takime te shtëpia e babës së Resmijes, ku ka qenë prezent edhe babai i saj, i cili më ka thënë ta shikoj veten dhe familjen time dhe të mos interesohem për Abedinin”, shtoi i akuzuari.

Sipas versionit të Reshat Ademit, Resmije Bytyqi e kishte për synim ta implikonte Naim Grulajn në këtë rast.

“E kam telefonuar Resmijen pas dy dite dhe jam interesuar për ngjarjen. Por ajo më ka thënë se vetëm Naim Grulaj e di se çfarë ka ndodhur. Resmija ka tentuar që me çdo kusht t’ia lë Naimit këtë faj mirëpo nuk ia doli”, deklaroi i akuzuari Reshat Ademi.

Avokati Blerim Mazreku e ballafaqoi të akuzuarin me deklaratën në të cilën ai kishte thënë se ka dëgjuar për rastin e Abedin Bytyqit pas 3-4 ditësh ndërsa sot i njëjti deklaroi se pas dy ditësh kishte biseduar me Resmije Bytyqin.

Reshat Ademi insistoi se nuk i kujtohej saktësisht se kur e ka thirrur, mirëpo qëndronte pranë deklaratës së dhënë më 24 prill 2019.

Tutje, i akuzuari pohoi se pas arrestimit të vëllait të tij, Murat Ademit, ai kishte pasur disa takime dhe biseda me Fadil Fetiun, biseda këto të cilat kishin qenë të përgjuara nga Policia.

Ndërsa, ai shtoi se asnjëherë nuk kishte biseduar me vëllanë e tij, Muratin, lidhur me zhdukjen e Abedin Bytyqit.

Nga të gjitha veprimet Prokuroria i akuzon Murat e Reshat Ademin për veprën penale të vrasjes së rëndë, Fadil Fetiun për ndihmë në kryerjen e vrasjes ndërsa Resmije Bytyqin për shtytje në vrasje.

Prokuroria pretendon se bashkëshortja e viktimës ishte shtytësja e vrasjes.

Sipas Prokurorisë, vëllezërit Murat e Reshat Ademi, akuzohen se më 6 tetor 2016, në fshatin Peqan të Suharekës, në bashkëkryerje, mizorisht kanë vrarë Abedin Bytyqin.

Motivi i krimit, sipas Prokurorisë, ishte bashkëshortja e të ndjerit, Resmije Bytyqi.

Aktakuza i ngarkon edhe Fadil Fetiun për ndihmë në vrasje, ndërsa Resmije Bytyqin për shtytje në vrasje.

Sipas aktakuzës, vëllezërit Ademi janë takuar gjatë vitit 2016 me të akuzuarën Resmije Bytyqi, të cilën e kanë vajzë të axhës, dhe ajo u është ankuar atyre se bashkëshorti i saj, Abedin Bytyqi, po e keqtrajtonte duke e rrahur.

Sipas Prokurorisë, më pas ajo u kishte kërkuar atyre që ta vrisnin burrin e saj, duke u thënë se nëse ata nuk munden ta bëjnë vrasjen, ajo do ta angazhonte dikë tjetër për ta kryer një gjë të tillë.

Në dispozitivin e aktakuzës thuhet se i akuzuari Murat Ademi, i shtyrë nga e akuzuara Resmije Bytyqi, ka shkuar në shtëpinë e të akuzuarit Fadil Fetiu, ku i ndjeri po punonte në instalimet elektrike dhe nën kërcënimin e armës së zjarrit e ka rrëmbyer tani të ndjerin.

Në aktakuzë thuhet se Murat Ademi e ka lidhur viktimën dhe e ka dërguar në një vend të panjohur ku e priste i akuzuari tjetër Reshat Ademi dhe më pas të dytë e kanë goditur me mjete të forta duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit pasi e kanë rrahur viktimën, të njëjtin e kanë mbytur duke ia vënë flakën dhe më pas e kanë groposur.

Për këto pretendime në tetor të vitit 2019, Gjykata e Prizrenit kishte dënuar me gjithsej 57 vite burgim tre të akuzuarit.

Kështu, të akuzuarit Murat Ademi, për shkak se në bashkëkryerje mizorisht ka vrarë Abedin Bytyqin, Gjykata i shqiptoi 25 vite burgim, të akuzuarës Resmije Bytyqi për shtytje të vrasjes së bashkëshortit Gjykata e dënoi me 20 vite burgim, e i akuzuari Fadil Fetiu për ndihmë në kryerjen e vrasjes u dënua me 12 vite burgim.

Kurse, i akuzuari Reshat Ademi ishte liruar nga akuza.

Mirëpo, vendimi i Gjykatës së Prizrenit nuk e kishte marrë aprovimin e Gjykatës së Apelit, pasi ajo vendosi që këtë çështje ta kthejë në rigjykim apo në pikën zero.

Rigjykim për vrasjen e rëndë në Suharekë, gruaja akuzohet se porositi vrasjen e burrit

KALLXO.com ekskluzivisht ka sjellë raporte nga të gjitha seancat dhe rrëfimet e dëshmitarëve, të akuzuarve dhe rrjedhën e gjykimit për vrasjen e rëndë të ndodhur në vitin 2016.