Gjykimi i Sami Ramadani, i akuzuar për vrasje në tentativë, FOTO KALLXO

I Akuzuari për vrasje në tentativë deklarohet i pafajshëm

Në Gjykatën Themelore të Mitrovicës sot është mbajtur seanca e shqyrtimit fillestar në rastin e të akuzuarit për vrasje në tentativë Sami Ramadani.

Pas fillimit të seancës dhe leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit Ismet Ujkani, i pandehuri Sami Ramadani u deklarua i pafajshëm lidhur me veprën penale për të cilën akuzohet nga Prokuroria.

Ndryshe Prokuroria e atëhershme Publike e Qarkut në Mitrovicë, akuzon Sami Ramadanin se në nëntor të vitit 2008 në fshatin Turiqevc, në rrugën magjistrale Skënderaj – Klinë e Begut, me dashje ka filluar kryerjen e veprës penale të vrasjes, por këtë vepër i pandehuri nuk e kishte përfunduar.

Sipas aktakuzës, kjo kishte ndodhur për shkak të mosmarrëveshjeve të mëhershme,  ashtu që derisa i dëmtuari Milaim Shala, duke kaluar afër dyqaneve që gjenden afër rrugës me automjetin e tij kombi, i akuzuari posa e vëren këtë nxjerr revolen e tij nga brezi e aktivizon dhe shtie në drejtim të dëmtuarit i cili ishte duke drejtuar këtë kombi.

Tutje në aktakuzë thuhet se i dëmtuari pasi që kishte vërejtur rrezikun kishte shpejtuar automjetin, ku më pas i akuzuari nuk kishte arritur ta godas dhe predha e revoles e godet kombin afër derës së vozitësit në anën e majtë, dhe pastaj i akuzuari largohet nga vendi i ngjarjes kështu që vepra ka ngelur në tentativë.

Më këtë i pandehuri ka kryer veprën penale “Vrasje në Tentativë”.

Gjithashtu i njëjti akuzohet edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, posedim ose shfrytëzim i paautorizuar i armëve”, në bashkim real me veprën penale të latëcekur.

Gjyqtari i rastit, Beqir Halili njoftoi se seanca e dytë e shqyrtimit gjyqësor nuk do të mbahet, ndërsa lidhur me kundërshtimet nëse do të ketë do të vendos jashtë shqyrtimit gjyqësor pas marrjes se mendimit nga ana e prokurorit.