I akuzuari për krime lufte në rajonin e Gjakovës nuk e pranon fajësinë

Jusuf Shujak, i akuzuar për krime lufte në rajonin e Gjakovës, nuk e ka pranuar fajësinë në seancën e shqyrtimit fillestar, të mbajtur më 13.02.2025, në Gjykatën e Prishtinës.

Sipas Aktakuzës së Prokurorisë Speciale të datës 24.01.2025, i pandehuri Jusuf Shujak po akuzohet se në periudhën kohore 1998-1999 në fshatrat e Komunës së Gjakovës, gjatë kohës së luftës në Kosovë, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, me dashje i shkel rregullat e së drejtës ndërkombëtare kundër personave civil, ku sipas Prokurorisë i njëjti ka kryer vrasje, dëbim dhe shkatërrim të pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme të popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar, të cilët nuk ishin të përfshirë në luftë.

Pas leximit të Aktakuzës nga prokurori special Kastriot Memaj, i akuzuari Jusuf Shujak u deklarua rreth fajësisë për akuzat që i vihen në barrë.

“Nuk jam fajtor.” – tha i akuzuari Jusuf Shujak.

Tutje, gjyqtari Lutfi Shala njoftoi të akuzuarin dhe mbrojtësin e tij se brenda afatit prej 30 ditësh mund të paraqesin propozime për kundërshtim të provave dhe kërkesë për hudhje të Aktakuzës.

Para leximit të Aktakuzës, prokurori special Kastriot Memaj bëri precizimin e Aktakuzës, duke i bërë disa ndryshime nga ana teknike.

 

Çfarë thotë Dosja e Prokurorisë?

Në Aktakuzë thuhet se më 10 maj 1999, pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ku bënte pjesë edhe i pandehuri, të unformuar dhe të armatosur, të ndarë në dy grupe të ndryshme, kanë hyrë me dhunë në shtëpinë e M. D., ku ishin duke qëndruar M. D., D. D., bashkëshortja e tij, një fëmijë, si dhe dy të zhvendosur: D. H. dhe I. L., të cilët ishin strehuar përkohësisht. Fillimisht i urdhërojnë të dëmtuarit dhe viktimat që të dilnin në oborr, mirëpo brenda kishte mbetur M. D.

Në Aktakuzë thuhet se me të dalë në oborrin e shtëpisë, një polic serb i ndalon viktimat C. H. dhe I. L. dhe ua kishte kërkuar letërnjoftimet. Pastaj, njëri nga pjestarët e forcave serbe u kishte thënë “Ah, ju qenkeni UÇK” dhe menjëherë kishte shtënë me armë në drejtim të tyre dhe i kishte vrarë që të dy. Kurse, një polic tjetër kishte hyrë në shtëpi ku po qëndronte M. D. dhe kishte shtënë me armë, ndërsa policët e tjerë që ishin në oborr kanë shtënë me armë në drejtim të këmbëve të dëmtuarve: F. D., D. D. etj., duke i detyruar që të largohen nga shtëpia.

Sipas Aktakuzës, më 13 maj 1999, F. D., bashkë me S. D. dhe H. D. ishin kthyer në shtëpi, ku në korridor të shtëpisë e kishin gjetur të vrarë M. D., i cili e kishte pasur fytyrën të gjakosur, një plagë në gjoks dhe fytyrën e ënjtur. Po ashtu, në oborr kishin qenë edhe trupat e C. H. dhe I. L., ndërsa trupat e tyre ishin gjetur pas luftës në varrezë masive në Batajnicë në Serbi. Kurse, identifikimi i tyre ishte bërë përmes analizës së ADN-së.

Tutje, në Dosjen e Prokurorisë thuhet se në kohën dhe vendin e përshkruar në Pikën 1 të Dispozitivit të Aktakuzës, forcat policore dhe ushtarake serbe, me dhunë dhe nën kërcënimin e armëve, dëbuan nga shtëpitë e tyre familjen Dyla.

Sipas Aktakuzës, në ditën e incidentit derisa pjesëtarët e forcave policore dhe ushtarake serbe kishin hyrë në shtëpinë e familjes Dyla në Gjakovë dhe kishin vrarë tre persona, të njëjtit i kishin detyruar pjesëtarët e tjerë të familjes Dyla që të largohen nga shtëpitë e tyre dhe t’u bashkohen kolonave të banorëve civil të nacionalitetit shqiptar dhe nacionaliteteve të tjera, të cilët me dhunë po largoheshin nga Gjakova.

Tutje, sipas Aktakuzës në ditën, kohën dhe vendin e njëjtë, si në Pikën 1 të Dispozitivit të Aktakuzës, forcat policore dhe ushtarake serbe, ku bënte pjesë edhe i pandehuri e plaçkitën dhe shkatërruan pasurinë e familjes Dyla, në atë mënyrë që ditën e incidentit, pasi që i vranë dhe i dëbuan viktimat në formën dhe mënyrën e përshkruar në Pikën 1 dhe 2 të Dispozitivit të Aktakuzës, fillimisht e plaçkitën shtëpinë e familjes Dyla dhe disa shtëpi të tjera rreth saj, e më pastaj i dogjën – duke u shkaktuar viktimave dëm në një shumë të madhe materiale.

Sipas Aktakuzës, me këto veprime i akuzuari Jusuf Shujak po akuzohet se në bashkëkryerje e ka kryer veprën penale: “krim i luftës kundër popullatës civile”.