Gjykata e Gjilanit

I akuzuari për keqpërdorim të autorizimeve ekonomike, mohon akuzat

I akuzuari për keqpërdorim të autorizimeve ekonomike: Punëtorët e mi asnjëherë nuk i kam udhëzuar të ju ikin obligimeve

Sylë Deshishku, i cili nga Prokuroria e Gjilanit po akuzohet për veprën penale keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike, ka dalë para gjykatësit në Gjilan për t’u përballur me akuzën e Prokurorisë.

Deshishku, i cili po akuzohet se e ka kryer veprën penale keqpërdorim i autorizimeve ekonomike, në seancën e sotme u deklarua i pa fajshëm.

Në seancë, në pyetjet e mbrojtësit të të pandehurit Sylë Deshishku, avokatit Ismajl Selimi, i akuzuari ka deklaruar se sa i përket shmangies nga tatimi, ai nuk është fillestar në biznes dhe se për profaturat nuk ka pasur njohuri deri në momentin që e ka thirrur Prokuroria Themelore në Gjilan.

“Në kontabilitet ka punuar nusja e djalit të vëllait, Valbona. Ajo ka qenë e lirë për të vepruar dhe se nuk kishte pse të bëhej ky proces gjyqësor. Përpos këtyre dy profaturave, Prokuroria nuk më ka prezantuar asnjë dokument tjetër me të cilën vërtetohet shmangia nga tatimi”, tha i akuzuari Deshishku.

Ai gjithashtu tha se mospagesa e borxheve paraqitet në ato raste kur nuk ekziston mundësia për të paguar borxhin, e që me krijimin e mundësive bëhet pagesa në fjalë. Ai tutje tha se punëtorët e tij asnjëherë nuk i ka udhëzuar që t’i ikin obligimeve.

“I kemi paguar të gjitha detyrimet financiare dhe se nuk kemi punuar për të pasur përfitime të kundërligjshme. Veprimi jonë ka të bëjë me mospagesën e borxheve dhe jo shmangien nga tatimi”, tha tutje i akuzuari Deshishku.

Sipas Prokurorisë, i akuzuari Sylë Deshishku si drejtor ekzekutiv i kompanisë “FBM Kualiteti”, me seli në Gjilan, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, nuk e ka deklaruar qarkullimin real të kompanisë së tij e cila merret me prodhimin e drithërave dhe bukës.

Sipas aktit akuzues, i akuzuari Deshishku, nuk i ka paguar detyrimet tatimore, duke dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës në shumën mbi 396,000 euro, nga e cila shumë tatimi bazë i shmangur është në shumën mbi 207,000 euro.