Driton Dobruna - i akuzuar për kanosjen e gazetarit Vehbi Kajtazi 01.11.2024 (Arkiv)

Driton Dobruna - i akuzuar për kanosjen e gazetarit Vehbi Kajtazi 01.11.2024 (Arkiv)

I akuzuari për kanosje pranon fajësinë dhe i kërkon falje gazetarit Vehbi Kajtazi

I akuzuari  për kanosjen e gazetarit Vehbi Kajtazi, Driton Dobruna më 09.10.2024 në rrjetin social Facebook, ka pranuar fajësinë lidhur me veprën penale të kanosjes, në seancën e shqyrtimit fillestar më 01.11.2024 në Gjykatën e Prishtinës.

Sipas prokurorisë, Dobruna e ka kanosur Kajtazin për një shkrim të protalit “Insajderi” që fliste për arrestimin e Dobrunës në muajin maj të viti 2024, ndonëse autor i shkrimit nuk ishte Kajtazi.

Pranimi i fajësisë u aprovua nga gjyqtari, Dibran Jusufi pasi mori për bazë deklarimet e prokurorit Paulin Pashku, të dëmtuarit dhe avokatit, Adhurim Gashi që përfaqëson të akuzuarin.

I akuzuari, Driton Dobruna pas pranimit të fajësisë shprehu keqardhje për veprimin e tij, i kërkoi falje të dëmtuarit dhe tha se në momentin kur i kishte shkruar ato fjalë kishte qenë në gjendje të rëndë emocionale dhe psikologjike.

“Shfrytëzoj rastin që i pranishëm është i dëmtuari këtu, të cilit i kërkoj falje publikisht pasi që, siç u cek nga i mbrojturi im kam qenë në një gjendje të agravuar emocionale dhe psikologjike. Nuk kam pranuar më punë në profesionin tim derisa ta fitoj pafajësinë që jam i sigurt që do ta fitoj dhe në natën kritike kam qenë në një gjendje të pa llogaritshme, ju betohem, dhe atë që e kam shkruar e kam parë pasi i dëmtuari më ka kthyer përgjigje dhe aty shihet që të njëjtën nuk e kam ditur se cilës gazetë i takon, nuk kam qenë fare i informuar, por që kjo nuk e heq përgjegjësinë time e pranoj fajin dhe jam shumë i penduar”- tha i akuzuari.

I njëjti kërkoi nga gjykata dëmin me kusht ose dënim plotësues.

Avokati Adhurim Gashi kërkoi nga gjykata që të marrë rrethanat lehtësuese dhe të mbrojturit të tij t’i shqiptojë një dënim më të butë, qoftë edhe me kusht.

Edhe gazetari, Vehbi Kajtazi u deklarua lidhur me kanosjen që kishte pranuar.

“Që përgjatë 20 viteve si gazetar kam marrë kërcënime të ndryshme përfshirë sulme fizike, por rallë herë më ka ra me lexu diçka më trishtuese më planifikuese në detaje sesi dikush përgatitet për kryerjen e një vepre penale mes të tjerash aty thotë që do ta shes shtëpinë për ta kryer veprën penale, pra për të më djegur me benzinë, ndërkohë në llogarinë e tij në Facebook e ka shtëpinë në shitje”- tha Kajtazi.

Kajtazi tutje kërkoi nga gjykata që të shqiptojë një dënim i cili do të vetëdijësonte personat që kanosin, sulmojnë dhe pengojnë punën e gazetarëve.

Gazetari u deklarua se ndjehet ende i kërcënuar në rast se të akuzuarit i hiqet masa e paraburgimit.

I akuzuari Driton Dobruna figuron si avokat në regjistrin e Odës së Avokatëve të Kosovës.

Dobruna akuzohet nga prokuroria se më 09.10.2024 në Facebook për shkak se ka qenë i mllefosur për shkak të publikimit të një lajmi nga portali “Insajderi” që fliste për arrestimin e tashmë të pandehurit në muajin maj 2024 e ka kanosur gazetarin Vehbi Kajtazi.

Sipas prokurorisë, Dobruna, fillimisht ja kishte dërguar si “screenshot “Kajtazit lajmin e “Insajderit” duke vazhduar me shkrimin “Do të shihemi së shpejti, të adhuroj si gazetar, je idoll i im, Faleminderit për vuajtjet që mi ke shkaktuar, por të dua shumë, mezi po pres me u taku me ju, Vehbi k***, do të gjejë, do të takohemi, të dua, ma ke prish jetën, por nuk ka dert, se ti je gazetar, a e din cila dhimbja më e madhe për një qenie, – me ly me benzin e pas dy minutave me shu me zjarrfikës, e këtë me e përsërit disa herë deri sa të vdesësh, më ke vrarë, tani jam vetëm si trup i pa shpirtë, të jesh i sigurt premtimin do ta mbaj, unë e ti së bashku në ferr”.

Me këto veprime sipas prokurorisë i akuzuari ka kanosur Kajtazin duke i shkaktuar ndjenjën e frikës dhe ankthit.

Sipas prokurorisë lajmi në “Insajderi” nuk ishte shkruar nga Vehbi Kajtazi.