I akuzuari nuk u ftua nga gjykata, dështon gjykimi ndaj tij

Në Gjykatën e Prizrenit ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore, ndaj Fatmir Hajdarit i cili po akuzohet se në një aheng familjar në fshatin Krushë të Vogël të Prizrenit, kishte gjuajtur me armë zjarri.

Në këtë rast, Hajdari nga Prokuroria po ngarkohet se ka kryer veprat penale shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm dhe armëmbajtja pa leje.

Por, në seancën e sotme, i pandehuri nuk ishte prezent në gjykim, e nga gjykatësja Teuta Krusha u konstatua se nuk kishte prova se i njëjti ishte ftuar në mënyrë të rregullt.

Andaj, në mungesë të kushteve ligjore, seanca e sotme nuk u mbajt, duke u shtyrë për datën 15 shtator 2021.

Sipas Prokurorisë, ngjarja ka ndodhur në qershor të vitit 2021, në shtëpinë e tij në fshatin Krushë e Vogël, gjatë ahengut familjar, me rastin e fejesës së 2 djemve të tij, në prezencë të mysafirëve i pandehuri Fatmir Hajdari dyshohet se merr pushkën, prodhim kinez dhe shkrep disa herë në drejtim të qiellit.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri deri me datën 27 maj 2021, në shtëpinë e tij e ka fshehur pushkën automatike, prodhim kinez, së bashku me 2 karikator të zbrazur për të cilën armë nuk kishte poseduar leje nga organi kompetent.

Me veprimet e lartcekura, i pandehuri akuzohet se ka kryer veprat penale shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm dhe armëmbajtja pa leje.