I akuzuari në rastin “Veteranët” kandidohet nga AAK-ja për kryetar të Pejës

Ish-ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, i ka hyrë garës për të qeverisur me Komunën e Pejës.

Kandidatura e tij u bë publike sonte në një tubim të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Berisha me rastin e kandidimit shprehu bindjen e tij se Pejës do t’ia kthejë krenarinë dhe buzëqeshjen.

“Jam mëse  i bindur që bashkë me ju do ta bëjmë një Pejë të zhvillume, një qytet që vërtet e meriton që qytetarëve të Pejës t’u kthehet krenaria dhe t’u kthehet buzëqeshja. Na priftë e mbara  të gjithëve drejt fitores së Komunës së Pejës”, tha Berisha.

Rrustem Berisha është kandidati i dytë i AAK-së që ka aktakuzë aktive në Gjykata.

Ai së bashku me Agim Çekun dhe dhjetë personat të tjerë akuzohet se kishte fryrë listat e veteranëve për 19,500 persona, duke e dëmtuar kështu buxhetin e Kosovës mbi 88 milionë euro.

Sipas Prokurorisë Speciale, Berisha, Çeku dhe të tjerët në kundërshtim me ligjin dhe rregullat e përcaktuara nga vetë ata ua kishin mundësuar dhe njohur personave të tjerë që të përfitojnë statusin e veteranit luftëtar të UÇK-së.

Për këto akuza në fillim të këtij viti Rrustem Berisha, Agim Çeku dhe dhjetë të akuzuarit e tjerë ishin shpallur të pafajshëm nga Gjykata e Prishtinës mirëpo vendimi është apeluar nga Prokuroria Speciale në Gjykatën e Apelit.

Përpos kandidatit Berisha me aktakuzë aktive në gjykatë është edhe kryetari aktual i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, të cilit AAK-ja ia besoi edhe një kandidaturë.

Për dallim nga Berisha, Zenun Elezaj ishte shpallur fajtor nga Gjykata e Pejës mirëpo rasti ishte kthyer në rigjykim.

https://kallxo.com/lajm/aak-ja-rikandidon-per-kryetar-te-klines-zenun-elezajn-i-cili-do-te-rigjykohet-per-punesimin-e-vajzes-se-tij/