I akuzuari në rastin e mashtrimit me viza kërkon zhbllokimin e llogarive për t’i paguar avokatët

I.K, i akuzuar në një rast të mashtrimit për viza pune, i ka kërkuar Gjykatës që t’ia zhbllokojë llogaritë që ia kishte bllokuar Prokuroria, pasi nuk po mund t’i paguajë avokatët.

Gjyqtari Vesel Ismajli në fillim të seancës së sotme gjyqësore tregoi se dje, i akuzuari kishte qenë në zyrën e tij ku kishte bërë revokimin e dy avokatëve të tij, Ramiz Krasniqit dhe Tomë Gashit për arsye se nuk ka mundësi financiare t’i paguaj.

Gjyqtari Ismaili në seancë tha se sipas kodit penal në këtë rast mbrojtja nuk është obligative, mirëpo të akuzuarit iu caktua një avokat të paguar nga shteti, pasi i akuzuari tha se nuk mundet të vazhdojë të marrë në pytje dëshmitarët e rastit pa avokat.

Pas kësaj kërkese, seanca u ndërpre dhe u vendos që lënda t’i dërgohet Kryetarës së Gjykatës për të vendosur.

Pas ndërprerjes më shume se 1 orë e gjysmë, seanca më pas ka vazhduar, ku të akuzuarit I.K pas pranimit të aktvendimit iu ka aprovuar kërkesa për angazhimin e mbrojtësit dhe në sallë është paraqitur avokati Adem Ademi, i cili u caktua sipas detyrës zyrtare.

Pas kësaj në gjykimin ndaj ish-Deputetit të Kuvendit të Kosovës , M.Z. dhe dy të akuzuarve tjerë I.K. dhe E.K.  është dëgjuar dëshmitarja Marigona Berisha.

Berisha ka treguar se në vitin 2016/17 kishte punuar në departamentin e marketingut, në kompaninë “Mozaiku i Kosovës”, me pronar M.Z.

Kurse  e njëjta ka sqaruar se sa kishte punuar aty e kishte zëvendësuar në tri raste punëtoren e I.K, B. G e cila më pas i kishte dhënë një detyrë që t’i kryejë disa transaksione në xhirollogari të kompanisë “Mozaiku i Kosovës”.

“Në kohën kur ka punua B.G me I.K., ka pasur dy tri raste kur më ka thënë a mundesh me  më zëvendësu dhe në fund ka kërkuar që të hollat qa i kom marrë gjithë ditën nga aplikantët të cilët kanë aplikuar për viza mi qu në xhirollogari të kompanisë së M.Z”, tha dëshmitarja.

Tutje dëshmitarja para trupit gjykues tha se nuk i kujtohet shifra e atyre transfereve sa kishte qenë, por bëri të ditur se ato mjete financiare janë transferuar në xhirollogari të kompanisë jo në xhirollogari të M.Z.

Dëshmitarja Berisha ma pas tregoi se për vizë në këtë kompani kishte aplikuar edhe vëllai i saj, i cili kishte bërë pagesë në shumë prej 50 euro, mirëpo e njëjta tha se vëllai i saj asnjëherë nuk është pajisur me vizë pune apo kontratë të punës.

Më pas kur i erdhi radha mbrojtësit të I.K, i cili ju caktua sipas detyrës  zyrtare, që të parashtrojë pyetje dëshmitares, pati reagime nga i akuzuari I.K, i cili iu tha gjykatës se avokati i tij nuk mund të parashtrojë pyetje se nuk i kanë deklaratat e dëshmitares dhe i njëjti nuk është i përgatitur.

Mirëpo për këtë reagim pati vërejtje nga kryetari i trupit gjykues Vesel Ismaili,i cili ia bëri të ditur të akuzuarit I.K, që mos të prish qetësinë në gjykatë për ndryshe do të dalë jashtë.

Kurse në pyetjet e trupit gjykues dëshmitarja Berisha tha se çdo aplikant që kishte aplikuar iu kishte dhënë nga një fletëdëshmi e pagesës.

Prokuroria e akuzon ish- deputetin dhe dy të bashkë akuzuarit e tjerë për veprat penale mashtrim, shmangie nga tatimet dhe pastrim te parave.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale thotë se M.Z. dhe I.K., që nga viti 2016 deri në mars të vitit 2017, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, kishin themeluar biznesin si agjension punësimi, duke paraqitur fakte të rreme për punësimin e qytetarëve të Kosovës në Gjermani, duke mashtruar 900 aplikues për viza pune.

Të akuzuarit nga prokuroria ngarkohen se si në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të mashtrimit dhe shmangie nga tatimi.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit ngarkohen se lidhur me veprat penale të mashtrimit dhe shmangies nga tatimi kanë kryer edhe veprën penale pastrimi i parave.

 

Gjykimi për mashtrim me viza, dëshmitari: Shuma prej 500 euro nuk më është kthyer asnjëherë