Foto: KALLXO.com
I akuzuari kërkon përjashtimin e prokurorit të lëndës
Në seancën e datës 15.11.2024, i akuzuari Agron Sopaj ka kërkuar përjashtimin e prokurorit të lëndës, Genc Nixha.
Mbrojtësi i të akuzuarit Agron Sopaj, avokati Nazmi Mustafi, gjatë seancës së sotme deklaroi se i mbrojturi i tij ka kërkuar përjashtimin e prokurorit të shtetit me arsyetimin se prokurori do të duhej të bënte ndryshimin e aktakuzës sipas udhëzimeve të dhëna nga Gjykata e Apelit.
Sipas avokatit, vendimi i Apelit thotë se nuk ekziston asnjë provë që të vërtetojë se Agron Sopaj i ka kryer veprat penale me të cilat ngarkohet.
Madje, avokati thotë se i mbrojturi i tij në këtë çështje penale nuk ka asnjë status tjetër përveç statusit të palës së dëmtuar.
Në anën tjetër, prokurori Genc Nixha ka deklaruar se qëndron në tërësi pranë aktakuzës.
Pas kësaj, i akuzuari Agron Sopaj ka reaguar duke kërkuar nga kryetarja e trupit gjykues, Ajser Skenderi, që të mos e quajnë të akuzuar, pasi që ai është i mbijetuar nga rasti për të cilin po gjykohet dhe kërkoi drejtësi, duke theksuar se nuk duhet të vazhdojë gjykimi pa u vërtetuar fjala “i akuzuar”.
I pandehuri Agron Sopaj gjatë mbajtjes së seancës tha se: “Jam duke lypë vetëm drejtësi qe 7 vite e gjysmë”.
“Të mos jetë drejtësia si gjyqtarët që janë përjashtuar, Xheladin Osmani dhe Artan Sejrani, që m’kanë kërcënu me fjalët: “Hajt se ke me pa”” – shtoi i pandehuri.
Pas kësaj, kryetarja e trupit gjykues Ajser Skenderi konstatoi se i akuzuari ka prishur rendin dhe qetësinë në Gjykatë.
Madje u potencua se i njëjti iu drejtua me gisht kryetares së trupit gjykues.
Gjyqtarja Skenderi ka ndërprerë seancën e sotme, deri sa të vendoset nga Kryeprokurori i Shtetit në lidhje me kërkesën e të akuzuarit për përjashtimin e prokurorit të çështjes.
Seanca po udhëhiqet nga kryetarja e trupit gjykues Ajser Skenderi, ndërsa anëtarë të trupit gjykues janë Luan Berisha dhe Sami Gashi.
Sipas aktakuzës, Rinor Xhaferi akuzohet se me dashje ndërmerr veprime për vrasje të personit tjetër, por vepra nuk është realizuar.
Sipas Prokurorisë, më 20 maj 2017, në fshatin Korishë, për shkak të mosmarrëveshjeve të mëhershme, lidhur me rrugën dhe largimin e cungjeve prej rrugës nga ana e të dëmtuarit Agron Sopaj, i akuzuari Rinor Xhaferi së bashku me babanë e tij shkon në drejtim të të dëmtuarit Agron Sopaj, ku fillimisht përleshen me grushte, e pastaj në një moment me thikë dy herë e godet të dëmtuarin Agron Sopaj në regjionin e kafazit të majtë të kraharorit, afër zemrës, dhe një herë në regjionin e abdomenit.
Për këto veprime, Rinor Xhaferi akuzohet nga Prokuroria se ka kryer veprën penale të vrasjes në tentativë.
Kurse, Agron Sopaj akuzohet se i shkakton lëndim të rëndë trupor personit tjetër, deri në masën e tillë sa që mund të rezultojë me dëmtimin e përkohshëm të shëndetit, në atë mënyrë që gjatë përleshjes, me grushte e godet të dëmtuarin B.Xh., të cilit i shkakton lëndime të buta të hundës, nëngjurit të majtë dhe lëndime të tjera.
Lidhur me këtë rast, raportimet e KALLXO.com i gjeni në këtë – LINK.