Jeton Vllasaliu - Dhënia e mbrojtjes seanca e datës 11..02.2025

Jeton Vllasaliu - Dhënia e mbrojtjes seanca e datës 11..02.2025

I akuzuari Jeton Vllasaliu: "Për Bedri Rexhepin ka qenë ditë e kobshme, kurse për mua ka qenë ditë e zezë prej asaj dite"

Vëllezërit Jeton dhe Nexhat Vllasaliu të akuzuar për rastin e vrasjes së biznesmenit nga Prishtina, Bedri Rexhepi, kanë dalë para Gjykatës për të dhënë mbrojtjen e tyre lidhur me këtë rast.

Mbrojtjen ka filluar ta japë i akuzuari Jeton Vllasaliu, por që kishte një kërkesë që të mos vazhdohet tutje.

“Unë nuk di me bo loja. Unë nuk jam me shty seancën. Jam shumë… i ngarkum. Nëse muj me vazhdu, kom me vazhdu. Që jo, ju lutna kuptomni.” – ka thënë Jeton Vllasaliu.

Kurse, avokati i të akuzuarit, Ndrecë Dodaj tha se interesi i tij dhe i kolegut avokat, Shemsedin Piraj i cili mbron të akuzuarin Nexhat Vllasaliu është që të përfundohet me dhënien e mbrojtjes për të akuzuarit.

Me të filluar dhënien e mbrojtjes, i akuzuari Jeton Vllasaliu tregoi se Bedri Rexhepin për herë të parë e kishte takuar në vitin 2002.

Kurse, vitin 2015 apo 2016 kishte filluar që të ketë kontakt më shumë me të deri në ditën kritike.

“Unë thashë për herë të parë e kom taku në 2002. Pastaj, deri në vitin 2015 ma nuk kam pasë kontakt me to. Prej 2015 kam vazhdu me u njoft me to, super mirë. Gjatë kësaj periudhe deri në ditën kritike, kur them super mirë, një njeri që e kam ftu mbrenda n’shtëpi. Për mua do të thotë që janë super t’mirë.” – tha Jeton Vllasaliu.

I njëjti tha se ka pasur raporte biznesore me të ndjerin, duke blerë e shitur vetura, madje duke marrë me qera edhe nganjëherë vetura nga i ndjeri.

Të gjitha detyrimet dhe obligimet sipas tij janë kryer nga të dy palët.

Jeton Vllasaliu përmendi se në ditën kritike kishte komunikuar me të ndjerin Bedri Rexhepi, për t’u takuar dhe takimi kishte ndodhur në ora 17:00, në “Lagjen 038 në Veternik”.

Për këtë takim, i akuzuari përmendi se nuk ishte në dijeni i vëllai i tij Nexhat Vllasaliu.

Avokati i të akuzuarit, Ndrecë Dodaj e pyeti të akuzuarin për shkuarjen e tij në ditën kritike në Kamenicë.

I akuzuari tha se shkuarja te vendi në Kamenicë, ku kishin për ta shikuar një tokë, nuk kishte arritur të bëhet pasi ishin penguar rrugës.

Jeton Vllasaliu tha se me sa ka mbajtur mend “pengesa” ishte bërë nga katër persona.

Por, kur u pyet nga avokati i tij se me çka ishte pamundësuar shkuarja në Kamenicë për ta shikuar një tokë, i njëjti nuk arriti të përgjigjet duke shtuar: “Për Bedri Rexhepin ka qenë ditë e kobshme, kurse për mua ka qenë ditë e zezë prej asaj dite. A keni mundësi mos me vazhdu sot se jam shumë… i ngarkum.” – shtoi Jeton Vllasaliu.

Kështu, seanca u ndërpre për 30 minuta, por që përsëri i akuzuari kërkoi që senaca e sotme, më 11.02.2025, të ndërpritet.

Kryetarja e Trupit Gjykues, Medie Bytyqi e aprovoi kërkesën e të akuzuarit duke njoftuar palët prezente se do të ndërmarrë të gjitha hapat e paraparë për këtë çështje.

Gjykimi për këtë rast filloi rishtazi pasi kishte ndryshim në përbërjen e Trupit Gjykues, ku në vend të Adnan Kamberit, anëtar i Trupit Gjykues tashmë është Agim Kuçi.

Të akuzuarit nuk e pranuan përsëri fajësinë, sikurse në seancën e datës 14.11.2022. Kurse veprimet e tjera procedurale u konsideruan të lexuara nga Trupi Gjykues, pa kundërshtime nga palët.

Misteri i Zhdukjes së Biznesmenit ishte hulumtimi të cilin e kishte transmetuar emisioni #KallxoPërnime në majin e vitit 2021.

 

Sipas Aktakuzës, Jeton Vllasaliu, më 08.04.2021, Bedri Rexhepin e dërgon në fshatin Vllasali, në shtëpinë e të pandehurit Nexhat Vllasaliu, pasi paraprakisht kishin planifikuar vrasjen e tij.

Gjithnjë sipas Aktakuzës, me të arritur te shtëpia e të pandehurit, Jeton Vllasaliu në mënyrë tinëzare e vret Bedri Rexhepin duke menduar që ky i fundit ka shumën e caktuar të parave.

Sipas Dosjes së Prokurorisë, pastaj veturën me të cilën Bedri Rexhepi kishte shkuar deri te shtëpia e të akuzuarve, Jeton Vllasaliu e kishte dërguar në arat e fshatit Shushicë, Janjevë. Pastaj, i pandehuri e kishte thirrur në telefon Nexhat Vllasaliun, i cili i kishte dalë në ndihmë, duke e marrë me veturën e tij personale nga vendi, ku Jeton Vllasaliu kishte fshehur veturën e të ndjerit.

Me këtë veprim, sipas Dosjes së Prokurorisë, Nexhat Vllasaliu kishte ndihmuar në kryerjen e veprës penale.

Me këto veprime të njëjtit akuzohen se kanë kryer veprën penale “vrasje e rëndë”, si dhe veprën penale “dëmtim i varreve apo kufomave”.

Raportimet e KALLXO.com, lidhur me këtë rast penal, mund t’i lexoni duke klikuar në LINK.