Pamje nga seanca e sotme - Foto: KALLXO.com

I akuzuari Islam Thaçi mohon të ketë dhënë pëlqim për rrënimin e aneksit të kompleksit "Abi Çarshia"

Ish-drejtori i Inspektoratit në Komunën e Prizrenit, Islam Thaçi, në gjykimin e tij në lidhje me rrënimin e aneksit të kompleksit “Abi Çarshia”, ka mohuar të ketë dhënë pëlqim për rrënimin e këtij objekti.

Sipas Thaçit, inspektori pas daljes në terren kishte ardhur në përfundim se investitori ABI-SHPK në Prizren ka bërë tejkalim deri në 30% të ndërtimit nga leja ekzistuese. Kurse,  më 28 gusht 2018, inspektori Bashkim Krasniqi kishte kërkuar nga investitori ta bëjë rrënimin vullnetar pas 30 ditësh.

“Në të njëjtën ditë, përmes e-mailit zyrtar nga Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor jam njoftuar se është nxjerrë vendim se është anuluar vendimi mbi rrënimin e objektit në fjalë”, deklaroi Thaçi në seancën e sotme në Gjykatën e Prizrenit.

Tutje, Islam Thaçi tha se vendimi për ndalimin e punimeve ka vazhduar të jetë në fuqi prandaj edhe inspektori kishte bërë shenjëzimin e objektit të ndërtuar pa leje.

Mirëpo, edhe pse ka pasur vendime mbi ndalimin punimeve nga ana e Drejtorisë së Inspektorateve, sipas të akuzuarit, investitori kishte vazhduar punimet edhe në pjesën e objektit ku nuk posedonte leje ndërtimore.

Pas kësaj, sipas deklarimit të Thaçit, investitori  kishte paditur Drejtorinë e Inspektorateve në Gjykatën e Prizrenit. Por, meqenëse ishte refuzuar padia, inspektorja Jetmire Vrenezi kishte marrë vendim për rrënim të dhunshëm më 15 korrik 2019, ndërsa ai si drejtor kishte kryer procedurat e nevojshme për ekzekutimin e këtij vendimi.

“Pas njoftimit nga Drejtoria e Urbanizmit, Drejtoria e Inspektorateve sipas konkluzionit për rrënim ka dalë për të ekzekutuar atë, pra për të bërë rrënimin e dhunshëm”, deklaroi i akuzuari.

Mirëpo, edhe pse ka pasur vendime të njëpasnjëshme të Gjykatës Themelore në Prizren, sipas  Islam Thaçit, më 21 korrik 2019, me urdhër të Prokurorisë zyrtari policor i kishte njoftuar se kishin nisur hetime lidhur me këtë rast dhe rrënimi nuk mund të vazhdohej më tej.

Për shkak të përfundimit të orarit të punës seanca e sotme u ndërpre, e njëjta do të vazhdojë nesër me marrjen në pyetje të të akuzuarve.

Sipas Prokurorisë, Islam Thaçi, në cilësinë e drejtorit të Inspektoratit, Jetmire Vrenezi dhe Egzona Morina Thaqi, inspektore të ndërtimit, Arianit Taraku dhe Isë Bislimaj, zyrtarë në Drejtorinë e Inspektoratit, Shqipëron Krasniqi, përfaqësues ligjor në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, kanë mundësuar realizmin e rrënimit të aneks-objektit të “Abi Çarshia” në Prizren, duke e pasur të ditur faktin se i dëmtuari veçse e kishte dorëzuar aplikacionin për legalizim të aneksit.

Rasti për të cilin akuzohen të pandehurit ka ndodhur më 19 dhe 21 korrik 2019.

Prokuroria pretendon se të njëjtit kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje, Udhëzimin Administrativ nr.06/19, Ligjin mbi procedurën e përgjithshme administrative, si dhe vendimet e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, nr. A-213/18 dhe A-179/19, me të cilat ishin anuluar aktvendimet e Drejtorisë së Inspektoratit Komunal të Ndërtimtarisë në Prizren.

Sipas Prokurorisë, këto vendime obligojnë organet komunale në Prizren të veprojnë konform Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje, si dhe udhëzimeve administrative në fuqi, andaj sipas aktakuzës, të akuzuarit duke mos i përfillur këto vendime, veprojnë në kundërshtim me ligjet në fuqi.

Dëmi që pretendohet se i është shkaktuar “Abi Çarshia”, me rrënimin e aneksit në fjalë, konsiderohet 69 mijë e729 euro.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në këtë LINK.