Gjykimi për grabitje në tentativë. FOTO- KALLXO.com

I akuzuari e pranon se tentoi ta grabisë shtëpinë në Rahovec

Njëri nga të akuzuarit për grabitjen në tentativë në një shtëpi në Rahovec e ka pranuar fajin.  I akuzuari i dytë po vazhdon të jetë i arratisur.

Dorlir Nura nga Skenderaj në Gjykatën e Gjakovës e pranoi fajin dhe kërkoi falje për atë që ka bërë. I akuzuar në këtë rast është edhe Arbin Dula.

“Më vjen keq për veprën që e kam bo, unë e kam pasur vetëm maskën asgjë tjetër në dorë, i kërkoj falje të dëmtuarve dhe kam qenë i mashtruar nga personi Arbin Dula”, deklaroi Dorlir Nura.

Dy të akuzuarit sipas prokurorisë kishin hyrë në shtëpinë e familjes Isma nga Rahoveci për të marrë para.

Jashar Isma, i dëmtuari në këtë grabitje, deklaroi se është i therur me thikë.

Në anën tjetër mbrojtësi i të akuzuarit Dorlir Nura, avokati Ergjyment Barballushi, kërkoi nga gjykata që ndaj klientit të tij të jepet një dënim i kushtëzuar.

Gjykatësi i rastit, Nikollë Komani, e caktoi ditën e nesërme për shpalljen e aktgjykimit.

Sipas aktakuzës, Dorlir Nura me nofkën “Qipsi”, më 11 maj 2019, bashkë me Arbin Dulën kanë kryer veprën penale të grabitjes në tentativë.

Prokuroria pretendon se të dytë duke përdorur forcën e duke qenë të maskuar dhe të pajisur me armë zjarri, kanë hyrë në shtëpinë e të dëmtuarve Jashar dhe Mirsad Isma, duke i kërkuar para familjes së tij.

Aktakuza shpjegon se më pas ka filluar një përleshje mes të pandehurve dhe të dëmtuarve, ku njëri prej të pandehurve e godet me mjet të fortë të dëmtuarin Jashar Isma duke i shkaktuar lëndime trupore e më pas të akuzuarit ikin në drejtim të panjohur.

Dorlir Nura ishte paraqitur vullnetarisht në polici dhe i njëjti prej 5 qershorit gjendet në paraburgim ndërsa Arbin Dula ende gjendet në arrati.