I akuzuari aksidentohet rrugës për në gjykatë

Gjykimi për plagosjen e ish-politikanit kosovar të viteve 1980, Azem Vllasi do të fillojë me vonesë.

Gjatë transportimit të akuzuarit Halim Halimi  për në Gjykatën e Prishtinës, Njësiti i Transportit ka pësuar aksident dhe për këtë arsye gjykimi do të fillojë me vonesë.

Gjykatësja Naime Krasniqi Jashanica njoftoi  të pranishmit në sallë se duhet të presin deri sa të silet i akuzuari.

Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj 10 personave në lidhje me rastin “Syri i Popullit” më 28 shkurt. Aktakuza ka të bëjë me plagosjen e ish-politikanit kosovar të viteve 1980, Azem Vllasi, tani avokat.

Ky proces gjyqësor është duke u gjykuar nga trupi gjykues i përbërë nga gjykatësit, Naime Krasniqi-Jashanica kryetare e trupit gjykues si dhe dy anëtaret e tjerë Valbona Musliu-Selimaj dhe Vesel Ismajli.

Ndërsa aktakuzën e Prokurorisë është duke e përfaqësuar Prokurori Special Sylë Hoxha.

Pjesë e aktakuzë janë veprat penale duke filluar hakmarrje, ndihma, dhunimi, përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe hakmarrje.

Sipas prokurorisë, të akuzuarit planifikonin shkatërrimin e strukturave themelore politike, kushtetuese, ekonomike apo shoqërore të Republikës së Kosovës me sulme dhe me vrasje ndaj personaliteteve më të larta shtetërore duke filluar nga ish-funksionarët e lartë të Kosovës prej vitit 1980 deri në 1991, duke i konsideruar si tradhtarë të vendit, e po ashtu funksionarët nga viti 1999 deri në vitin 2016.

Sipas aktakuzës, organizata kishte grupe guerile, ndërsa kërkonte që Enver Hoxha të njihej si hero.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi lidhur me këtë rast.