Foto: KALLXO.com
I akuzuar se zyrtarit kundërligjshëm i lejoi shtesat për 8 vjet e gjysmë, ish-drejtori komunal i Fushë-Kosovës deklarohet i pafajshëm
I akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ish-drejtori komunal i Fushë-Kosovës, Maliq Berisha, në seancën e datës 22.10.2024 u deklarua i pafajshëm për veprën që i vihet në barrë.
Maliq Berisha po akuzohet se si drejtor i Shërbimeve Publike dhe Mjedisit në Komunën e Fushë-Kosovës, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër ka keqpërdorur autoritetet e tij ligjore, në atë mënyrë që zyrtarit komunal të Fushë-Kosovës, Halil Berisha, i punësuar në pozitën e zyrtarit të Logjistikës dhe Autoparkut, i ka mundësuar përfitim të kundërligjshëm pasuror në kundërshtim me Ligjin për pagat e nëpunësve civilë- shtesat për kushte specifike të punës.
Tutje, seanca ka filluar me fjalën hyrëse të prokurores Elza Bajrami.
“Ne konsiderojmë se pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor do të vërtetohet pa mëdyshje se i akuzuari ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet dhe se i njëjti do të shpallet fajtor për veprën e kryer”- tha prokurorja Elza Bajrami.
Fjalën hyrëse e ka paraqitur edhe mbrojtësi i të akuzuarit Maliq Berisha, avokati Qëndrim Arifi.
“Ashtu siç kemi deklaruar gjatë fazave paraprake procedurale, aktakuza e ngritur kundrejt të mbrojturit tim as nuk është e bazuar në ligj dhe as nuk pasqyron qartësisht gjendjen faktike e aq më pak në asnjë pjesë të saj nuk ka arritur ta inkriminojë veprimin ose mosveprimin e të mbrojturit tim. Kështu që gjatë kësaj procedure do të vërtetohet se i mbrojturi im nuk ka fare të bëjë me veprën e cila i bie në barrë”- tha avokati Qëndrim Arifi.
Tutje, seanca ka vazhduar me dhënien e dëshmisë së dëshmitarit Shyqeri Krasniqi.
Dëshmitari deklaroi se në periudhën nga 1 janari 2014 e deri më 12 gusht 2022 kishte qenë udhëheqës i njësisë së auditimit të brendshëm në Komunën e Fushë-Kosovës.
I pyetur nga prokurorja Elza Bajrami se a kishte bërë verifikimin apo auditimin se cilët punëtorë marrin shtesa në Komunën e Fushë-Kosovës, dëshmitari deklaroi se ai e kishte bërë auditimin e listës së pagave, si dhe në atë periudhë nuk ishte audituar emri i Halil Berishës, dhe se i njëjti që merr pagë shtese për punë të rrezikshme ai ishte informuar nga kolegët që punojnë në Komunë.
“Unë e kam bërë auditimin e listës së pagave, mirëpo nuk e kam marrë pikën e rrezikshmërisë dhe e kam këqyrë përvojën e punës, në atë periudhë nuk është auditu emri i Halil Berishës, d.m.th. para vitit 2021 nuk është auditu, çështjen e Halil Berishës, gjatë vitit 2021 jam informuar prej kolegëve që punojnë në Komunë që Halili merr pagë shtesë për punë të rrezikshme nga viti 2008”- deklaroi dëshmitari Shyqeri Krasniqi.
“Pastaj, unë i kam shkruar zyrtares së burimeve njerëzore dhe i ka fotokopju dosjen çka kam kërku: kontratat e punës, listën e pagesave, e kam vërejtë se Halil Berisha merr 107 euro sipas gjykimit tim në mënyrë jo të kundërligjshme”- shtoi tutje dëshmitari Shyqeri Krasniqi.
Tutje, dëshmitari Krasniqi deklaroi se Halil Berisha epror e kishte pasur Maliq Berishën.
“Tek lista e pagave është, e ke një masë të përgjegjësisë ZKF dhe ZKA, se ligjin e kontrolleve të brendshme nuk ceken drejtorë por ceken ZKA dhe ZKF dhe auditorët. Ndërsa drejtor e ka pasur Maliq Berishën” – tha ai.
Ndërsa i pyetur nga prokurorja Elza Bajrami se a kishte pasur obligim Maliq Berisha t’i ndalojë shtesat për Halil Berishën, dëshmitari u përgjigj: “Po edhe ky është përgjegjës, edhe ZKF është Ramadan Jashanica- drejtori i Financave, ZKA kryetari i Komunës”.
Tutje, dëshmitari deklaroi se dëmi që i është shkaktuar buxhetit të Komunës është rreth 11,000 euro.
I pyetur nga i pandehuri Maliq Berisha se kush është institucioni që merr vendime për gradim dhe sistematizimin në vendin e punës në kuadër të Komunës, dëshmitari u përgjigj: “Gradimin e bën kryetari i Komunës, sistematizimin e bëjnë komisionet që i përzgjedh prapë kryetari e për pagën shtesë është akt gradim dhe këtë e bën”.
“P.sh. te rasti në fjalë gradimin nuk e ka pa vendimin, tek gradimi 107 euro, po e di që Halil Berisha ka marrë pagë deri në muajin e 7 të vitit 2022, atë vendim e ka nxjerrë kryetari i Komunës e jo drejtori i Shërbimeve Publike”- shtoi tutje dëshmitari Shyqeri Krasniqi.
Tutje, dëshmitari në pyetjen se a e kishte parë se kryetari i Komunës kishte lëshuar vendimin për pagë shtesë, u përgjigj se nuk e ka parë.
“Unë nuk e kam parë, dhe nga logjika nga drejtorët nuk nxjerrin vendime kontratë për pagë shtesë as për kontratë të punës, vetëm drejtori i Arsimit mundet me nxjerrë”- u përgjigj dëshmitari Shyqeri Krasniqi.
Ndryshe seanca fillestare e këtij rasti ishte më mbajtur më 05.04.2024.
Kjo çështje penale po udhëhiqet nga Gent Beka- kryetar dhe anëtarët Fatime Dërmaku dhe Gëzim Ademi.
Çfarë thotë aktakuza?
Sipas aktakuzës së datës 29.01.2024, i pandehuri Maliq Berisha akuzohet se nga data 01.01.2014 në vazhdimësi deri më datë 12.08.2022 në Fushë-Kosovë në cilësinë e personit zyrtar, si drejtor i Shërbimeve Publike dhe Mjedisit në Komunën e Fushë-Kosovës, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër me dashje dhe dijeni ka keqpërdorur autoritetet e tij ligjore duke mos vepruar në pajtim me legjislacionin për nëpunësit civilë sa i përket shtesave për rrezikshmëri në punë.
Në aktakuzë thuhet që zyrtarit komunal të Fushë-Kosovës, Halil Berisha, i punësuar në pozitën e zyrtarit të Logjistikës dhe Autoparkut, më 01.01.2014 i ka mundësuar përfitim të kundërligjshëm pasuror, në kundërshtim me Ligjin për pagat e nëpunësve civilë- shtesat për kushte specifike të punës.
Sipas aktakuzës, i pandehuri Maliq Berisha përkundër obligimeve ligjore që kishte si epror i tij, nuk kishte marrë veprime për ndërprerjen e kësaj pagese për zyrtarin Halil Berisha, të cilën i njëjti e kishte pranuar kundërligjshëm që nga muaji janar i vitit 2014 e deri më 12.08.2022, kur këto shtesa ishin ndërprerë pas inicimit të procedurës penale nga ana e Prokurorisë së Shtetit e pastaj edhe pas kërkesës së të pandehurit për ndërprerjen e kësaj pagese.
Sipas dosjes së Prokurorisë, i pandehuri Maliq Berisha buxhetit të Republikës së Kosovës i ka shkaktuar dëm financiar në shumën prej 11,128.00 euro.
Me këtë, i pandehuri Maliq Berisha në vazhdimësi e ka kryer veprën penale – keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.