Foto: KALLXO.com
I akuzuar për shkelje të rregullave të prokurimit publik, ish-pronari i kompanisë “Sallahu” dha mbrojtjen
I akuzuar nga Prokuroria se në gusht të vitit 2020 me vetëdije ka shkelur rregullat e prokurimit publik, pasi kishte paraqitur dokumentacion të rrejshëm me qëllim të mashtrimit me procedura e prokurimit, ish-pronari i kompanisë “Sallahu” SH.P.K., Naim Sallahu, ka dhënë mbrojtjen e tij para trupit gjykues në Gjykatën e Prishtinës.
Lidhur me këtë rast po akuzohet edhe drejtori i Njësisë së Auditimit të Brendshëm në Ministrinë e Infrastrukturës, Begzad Musliu.
Musliu po akuzohet se në nëntor të vitit 2020 i kishte tejkaluar kompetencat e tij në cilësinë e drejtorit të Njësisë së Auditimit të Brendshëm në Ministrinë e Infrastrukturës, ashtu që ka kryer auditimin e lëndës së prokurimit vetëm me kërkesën e operatorit ekonomik “Sallahu” SH.P.K., që sipas Prokurorisë është e ndaluar me ligj.
Në pyetjet e avokatit Flamur Bllacaku drejtuar të mbrojturit të tij se a kishte dorëzuar ndonjë deklaratë të noterizuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit, Naim Sallahu deklaroi se kishte dorëzuar një deklaratë, të nënshkruar në prezencë të noterit për të cilën deklarohen dy inxhinierë të gjeodezisë, Fadil Shehu dhe Shaban Krasniqi, që të dy kanë qenë të angazhuar në projektin “Ndërtimi i urës në zgjerimin e rrugës nacionale N9, segmenti Balincë”.
Tutje, i akuzuari Naim Sallahu gjatë mbrojtjes së të tij deklaroi se gjeodeti Fadil Shehu edhe një herë tjetër kishte keqpërdorur bashkëpunimin me kompaninë “Sallahu” SH.P.K.
“Kemi pasur një rast në një projekt ku Fadil Shehu ka qenë i angazhuar te kompania jonë dhe për atë ka fakte se është paguar, ku bashkë për atë projekt për të cilin kemi marrë pjesë për aplikim në tender ka qenë i paguar nga ana jonë dhe ka dëshmi që po i njëjti duke keqpërdorur marrëveshjen tonë e cila ka qenë edhe me shkrim, për përfitimet e veta personale i jep në shfrytëzim dokumentacionin një kompanie tjetër për aplikim tenderi dhe me atë rast ne si kompani kemi qenë të dëmtuar” – shtoi tutje i akuzuari Naim Sallahu gjatë mbrojtjes së tij.
Në pyetjen e bërë nga i akuzuari Begzad Musliu lidhur me atë se pse nuk kishin marrë tender nga Ministria e Infrastrukturës (MI) që nga viti 2020, Naim Sallahu tha se arsyeja pse kjo nuk ka ndodhur është nga kallëzimet penale që i kanë bërë ndaj zyrtarëve të Ministrisë.
“Arsyeja pse nuk kam marrë tender nga Ministria e Infrastrukturës (MI) prej vitesh është pikërisht kallëzimet penale të cilat i kemi bërë ne ndaj zyrtarëve të Ministrisë për keqpërdorimet që janë bërë nga ta, duke na dëmtuar neve si kompani”- tha Naim Sallahu.
I akuzuari tjetër në këtë rast, Begzad Musliu, mbrojtjen e tij e kishte dhënë në seancën e mbajtur më 10.06.2024.
Paraprakisht gjatë kësaj mbrojtësi i të akuzuarit Naim Sallahu, avokati Flamur Bllacaku, i propozoi Gjykatës që të korrigjohet një pjesë e procesverbalit nga seanca e datës 10.06.2024, dhe në procesverbal të shtohet edhe një deklaratë e të akuzuarit Naim Sallahu.
Propozimi i avokatit Bllacaku për korrigjimet teknike nuk u kundërshtua nga prokurori Bashkim Zeqaj dhe as nga kryetari i trupit gjykues, Avni Syla, mirëpo u kundërshtua propozimi i avokatit për plotësimin e deklaratës së të akuzuarit Naim Sallahu.
Tutje, prokurori i shtetit, Bashkim Zeqaj, deklaroi se fjalën përfundimtare do ta përgatisin në formë të shkruar dhe seanca për fjalën përfundimtare të caktohet për datë tjetër.
Trupi gjykues mori aktvendim duke aprovuar kërkesën e prokurorit.
Kjo çështje penale gjykohet nga kryetari i trupit gjykues, Avni Syla, dhe anëtarët Sulltane Hoti dhe Alban Ajvazi.
Çfarë thotë dosja e Prokurorisë?
Sipas aktakuzës, i pandehuri Begzad Musliu, në nëntor të vitit 2020 i kishte tejkaluar kompetencat e tij në cilësinë e drejtorit të Njësisë së Auditimit të Brendshëm në Ministrinë e Infrastrukturës ashtu që ka kryer auditimin e lëndës së prokurimit vetëm me kërkesën e operatorit ekonomik “Sallahu” SH.P.K., gjë që është e ndaluar me ligj.
Auditimi i lëndës së prokurimit është bërë për projektin me emrin “Ndërtimi i urës në zgjerimin e rrugës nacionale N9, segmenti Pejë – Kuqishtë me lokacionin Drelaj”.
Sipas aktakuzës, Musliu jashtë procedurave ligjore të auditimit të brendshëm ka përpiluar edhe një raport të auditimit në favor të operatorit ekonomik “Sallahu” SH.P.K me qëllim të krijimit të dobisë pasurore për kompaninë në fjalë, pa i vërtetuar provat në lëndën e iniciuar kundër këtij operatori, përkundër asaj që nuk kishte pasur autorizim.
Prokuroria pretendon se përmes këtij raporti që ka përpiluar Musliu, e që ishte dërguar jashtë procedurës në arkivat e OSHP-së, ka ndikuar që ky organ t’i falë besimin si provë këtij raporti e të mos e fusë në listën e zezë të OSHP-së kompaninë “Sallahu” SH.P.K.
Aktakuza thotë se i pandehuri tjetër, Naim Sallahu, pronar atë kohë i kompanisë “Sallahu” SH.P.K., në gusht të vitit 2020 me vetëdije ka shkelur rregullat e prokurimit publik, pasi kishte paraqitur dokumentacion të rrejshëm me qëllim të mashtrimit me procedura e prokurimit.
Tutje, sipas Prokurorisë, Sallahu në cilësinë e pronarit të kompanisë ka ofertuar me dokumentacion të falsifikuar, ashtu që si lëndë ka paraqitur referenca për gjeodetin Fadil Shehu se i njëjti kinse ka punuar në projektin “Ndërtimi i urës në zgjerimin e rrugës nacionale N9 segmenti Balincë” dhe në projektin “Zgjerimi i rrugës nacionale N2, segmenti hyrja në qytetin e Prishtinës (Veternik) “lot 1”, por që në projekt nuk ka qenë i angazhuar ky gjeodet.
Në këtë rast ka qenë i akuzuar edhe Fadil Shehu për deklarim të rremë nën betim për këtë rast, por i njëjti e kishte pranuar fajësinë.