Remzi Shala jep mbrojtjen - Foto: KALLXO.com

I akuzuar për krime lufte, ish-luftëtari i UÇK-së jep mbrojtjen: Kam luftuar kundër ushtrisë serbe, nuk jam marrë me civilë

Ish-luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Remzi Shala, të premten ka dhënë mbrojtjen e tij para Gjykatës së Prizrenit, ku po gjykohet për krime lufte.

Shala po akuzohet se në qershor të viti 1998 bashkë me disa persona të tjerë – pjesëtarë të UÇK-së, për shkak të dyshimit se Haxhi Përteshi ishte duke bashkëpunuar me forcat serbe, e kanë privuar nga liria.

Përteshi pak ditë më pas ishte gjetur i vdekur pranë rrugës në fshatin e tij – Duhël të Suharekës

Në seancën e sotme, i akuzuari Shala ka deklaruar se nuk është marrë asnjëherë me popullatë civile.

“Unë kam qenë ushtar i thjeshtë dhe sulmues shumë i mirë. Kam sulmuar ushtrinë dhe policinë serbe, e kam kryer ushtrinë e Jugosllavisë, kam vrarë ushtarë, kam vrarë policë serbë, non-stop kam sulmuar, nuk jam marrë me popullatën civile. Na nuk jena marrë me atë punë. Mua gjyshin ma vranë deri sa ka qenë duke kositur në fushë. Ndërsa, babën e nënës po ashtu ma vranë serbët. Unë gjithmonë kam pasur dëshirë të hakmerren ndaj tyre” – tha i akuzuari.

Remzi Shala ka treguar se më 1 maj 1998 i është bashkuar UÇK-së vetëm si një ushtar i thjeshtë.

Ai ka rrëfyer se gjatë luftës nuk ka pasur detyra të ndalojnë ose të intervistojnë ndonjë shqiptar apo serb.

“UÇK -ja ka qenë një ushtri për çlirimin e Kosovës dhe mbrojtjen e popullatës civile nga serbët.  Derisa na kemi mihur kallamoq ata na kanë gjuajtur, na kanë rrahur, na kanë hequr autonominë dhe nuk kemi pasur të drejta si popull shqiptar” – ka deklaruar i akuzuari.

Si ushtar, Shala ka thënë se ka vepruar nën udhëheqje të Fatmir Limajt e Ismet Jasharit – “Kumanovës”.

“Unë kam vepruar në Brigadën 121 me Fatmirë Limën dhe Ismet Jasharin. Kam vepruar në Lipjan e Shtime, kam bllokuar rrugën për 4-5 muaj. Kam kallur tanke, kam vrarë ushtarë serbë dhe kam marrë armatimin e tyre”-ka pohuar ai.

I akuzuari Shala ka mohuar të ketë qenë në fshatin Duhël.

“Nuk kam qenë në fshatin Duhël, kam qenë në Dragaqinë bashkë me Ismet Jasharin dhe komandant “Gurin”, kur ata kanë mbajtur një mbledhje unë kam qëndruar në rrugë më kallash në dorë duke eksponuar si ushtar i thjeshtë për t’i ruajtur ata” – pohoi Shala.

Në vijim të seancës, ai ka deklaruar se nuk e ka njohur as familjen Përteshi.

“Nuk i kam njohur, për herë të parë i kam parë në këtë sallë të gjykimit si dhe nga dëshmitarët që kanë ardhur këtu” – ka thënë Remzi Shala.

Ai tutje ka sqaruar se në kohë lufte nuk ka hapur istikame.

“Gjatë luftës, unë nuk kam hapur istikame. Puna ime ka qenë që të zë prita dhe të vrajë ushtarë serbë e të kall tanke”- tha i akuzuari.

Gjatë dhënies së mbrojtjes Remzi Shala i është përgjigjur pyetjeve të Blerim Mazrekut, mbrojtës i të akuzuarit dhe përfaqësuesit të Prokurorisë Speciale, Haki Gecaj.

Ndërkaq, pas disa pyetjeve të parashtruara nga Asdren Hoxha, përfaqësues i palës së dëmtuar, Shala refuzoi të përgjigjej.

“Nuk dëshiroj t’i përgjigjem asnjë pyetje palës së dëmtuar dhe përfaqësuesit të tyre” – tha ai.

Gjykata ka bërë të ditur se nga i akuzuari Shala ka pranuar një letër në të cilën ai kishte shkruar fakte lidhur me rastin e Haxhi Përteshit.

E për këtë letër Remzi Shala do të deklarohet më 2 dhjetor 2022.

Prokuroria Speciale po e akuzon Remzi Shalën se ka kryer krime lufte ndaj popullsisë civile.

Sipas aktakuzës të datës 19 tetor 2016, të ngritur nga prokurori vendor Haki Gecaj, Remzi Shala akuzohet se në qershor të 1998-ës bashkë me disa persona tjerë – pjesëtarë të UÇK-së kanë privuar nga liria Haxhi Përteshin, i cili disa ditë më pas është gjetur i vdekur në afërsi të rrugës në fshatin Duhël.

“Pas mbajtjes disa ditë të mbyllur në vend të paidentifikuar me datën 1 korrik 1998 trupi i pajetë i Haxhi Përteshit është gjetur në afërsi të rrugës afër qendrës së fshatit Duhël”, thuhet në dispozitivin e aktakuzës së Prokurorisë Speciale.

Remzi Shala është dënuar me 14 vite burgim, kurse Gjykata e Apelit përmes një vendimi i ka zbutur dënimin në 10 vite burgim. Pas kësaj, Gjykata Supreme ka anuluar këto dy gjykime duke e kthyer rastin në rigjykim.

KALLXO.com ka raportuar për rastin në fjalë që nga janari i vitit 2017 dhe dëshmi për rastin ishin dhënë edhe në emisionin “Drejtësia në Kosovë”.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në LINK.