Foto: KALLXO.com

I afrohet fundit gjykimi i Azem Sylës dhe 17 të tjerëve në rastin “Toka”

Procesi gjyqësor i njohur si rasti “Toka”, në të cilin të pandehur janë Azem Syla dhe 17 persona të tjerë, i është afruar fundit.

Në seancën e sotme, 09.12.2024, është dhënë fjala përfundimtare nga tetë të akuzuarit në këtë rast.

I nisur më 2016, rasti “Toka” i është afruar fundit tetë vite më pas.

Fillimisht kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti, njoftoi palët së është bërë ndërrimi i një anëtari të trupit gjykues dhe lidhur me këtë kërkoi qëndrimin e palëve se si të procedohet tutje.

Prokurori Naim Abazi propozoi që procesi gjyqësor të vazhdojë ku ka mbetur.

Lidhur me këtë propozim të prokurorit Abazi ishin të pajtimit edhe mbrojtja dhe të pandehurit.

Ndërsa kundërshtime pati i pandehuri Shaban Syla, i cili kërkoi nga trupi gjykues që procesi të fillohet prej fillimi, duke thënë se Prokuroria nuk i ka sjellë disa dëshmitarë.

Ndërkaq lidhur me këtë trupi gjykues mori aktvendim duke aprovuar propozimin e prokurorit Abazi që të gjitha veprimet e ndërmarra në këtë çështje penale të konsiderohen të lexuara,

Ndërsa lidhur me pretendimet e të pandehurit Shaban Syla, kryetari i trupit gjykues Arben Hoti tha se dëshmitarëve që po i përmend i pandehuri u është marrë dëshmia.

Tutje, seanca ka vazhduar me fjalën përfundimtare të palëve.

Prokurori i rastit, Naim Abazi, fjalën përfundimtare e dorëzoi në formë të shkruar dhe atë e elaboroi në pika të shkurta.

Në fjalën përfundimtare Abazi tha se Prokuroria konsideron se në këtë çështje penale në mënyrë te pakontestueshme janë vërtetuar veprat penale të cilat u vihen në barrë të akuzuarve, dhe tha se Prokuroria nuk ka gjetur asnjë rrethanë lehtësuese sa i përket dënimit.

Tutje, prokurori Abazi i propozoi Gjykatës që pasuria apo pronat që janë sekuestruar të konfiskohen.

“Gjykatës i propozojmë si rrjedhojë e kësaj, pasuria apo pronat të cilat janë sekuestruar me urdhrat e kësaj Gjykate duhet të konfiskohen. Lista e pronave të cilat kërkohet të konfiskohen janë në aktakuzë…”- tha prokurori Abazi.

Ndërsa në fjalën përfundimtare përfaqësuesi i AKP-së, Naim Gjikolli, tha se kanë paraqitur kërkesë pasurore juridike dhe se qëndrojnë pas saj.

Fjalën përfundimtare e paraqiti edhe mbrojtësi i të akuzuarit Shpresim Uka, avokati Afrim Salihu. I njëjti fjalën përfundimtare e dorëzoi në formë të shkuar dhe të njëjtën e elaboroi në pika të shkurta.

Avokati Salihu tha se disa herë i ka analizuar provat dhe se nuk ka vërejtur ndonjë element që ka të  bëjë me veprën “Pastrim i parave”, dhe tha se beson që Gjykata për disa pika të aktakuzës për të mbrojturin e tij do të marrë aktgjykim refuzues e për disa pika aktgjykim lirues.

Ndërsa i akuzuari Shpresim Uka tha se e mbështet në tërësi fjalën përfundimtare të mbrojtësit të tij dhe tha se asnjëherë nuk kishte blerë tokë dhe as nuk kishte shitur tokë,  dhe se kurrë nuk ishte marrë me ndërmjetësime rreth shitblerjeve.

Fjalën përfundimtare e ka paraqitur edhe mbrojtësi i të akuzuarit Azem Syla, avokati Besnik Berisha.

Avokati Berisha tha se ky proces për klientin e tij do të jetë një nga barrët më të rënda të jetës së tij.

Avokati Berisha tha se Prokuroria nuk ka arritur të sigurojë asnjë provë të vetme  për përfshirjen e të mbrojturit të tij në çfarëdo mënyre në krimet e pretenduara apo ato të ekzekutuara.

“Zotëri Syla nuk meriton dënim siç u ftua nga Prokuroria por meriton kërkim falje për persekutim. Meriton mirënjohje për luftën dhe sakrificat e tij”- shtoi tutje avokati Berisha.

Ndërsa i akuzuari Azem Syla tha se e mbështet fjalën përfundimtare të mbrojtësit të tij.

Fjalën përfundimtare e ka paraqitur edhe mbrojtësi i të akuzuarit Shaban Syla, avokati Agron Kajtazi.

Avokati Kajtazi fjalën përfundimtare e dorëzoi në formë të shkruar dhe kërkoi që të mbrojturin e tij Gjykata ta shpallë të pafajshëm dhe të nxjerrë aktgjykim lirues për të.

Ndërkaq, i akuzuari Shaban Syla tha se të gjitha pronat që janë në firmën e tij janë të ligjshme.

“Të gjitha pronat të cilat mbajnë firmën time unë jam shitblerës ose ndërmjetësues por i ligjshëm, jo i paligjshëm, asnjë dokument unë Shaban Syla në jetën time nuk e kam falsifikuar. Këto janë trillime të UDB-së, Nazim Bllacës , të UNMIK-ut, EULEX-it, një fryme janë.  Mjerisht edhe Prokuroria jonë po e vazhdon atë rrugë”- tha i akuzuari Shaban Syla.

Tutje, i akuzuari Shaban Syla tha se ka vërejtje për trupin gjykues për shkak që nuk i kishin lejuar disa prova shfajësuese për të.

Tutje, fjalën përfundimtare e ka paraqitur edhe mbrojtësi i të akuzuarit Ramadan Uka, avokati Arlind Jupolli. I njëjti fjalën përfundimtare e ka dorëzuar në formë të shkruar dhe tha se akuza lidhur me të mbrojturin e tij është e pabazuar në fakte dhe prova dhe kërkoi nga Gjykata që të njëjtin ta lirojë nga akuza.

Ndërsa i akuzuari Ramadan Uka deklaroi se e mbështet fjalën përfundimtare të avokatit të tij.

Në fjalën përfundimtare mbrojtësi i të akuzuarit Arton Vila, avokati Florent Latifaj, kërkoi nga Gjykata që të mbrojturin e tij në mungesë të provave ta lirojë nga akuza. Ndërsa i akuzuari Vila deklaroi se e mbështet fjalën përfundimtare të avokatit të tij.

Mbrojtësja e të akuzuarit Avdyrrahman Brajshori, avokatja Barije Besimi, ne fjalën përfundimtare tha se i mbrojturi i saj nuk ka bërë shitblerje por vetëm blerje dhe tha se shpreson që i mbrojturi i saj të lirohet nga akuza. I akuzuari Brajshori deklaroi se e mbështet fjalën përfundimtare të avokates së tij.

Në fjalën përfundimtare mbrojtësi i të akuzuarit Ilaz Syla, avokati Haxhi Millaku, tha se janë të bindur si mbrojtje që nuk ka asnjë provë që do ta qe do ta inkriminonte dhe ta shpallte fajtor të mbrojturin e tij, si dhe pret aktgjykim lirues ndaj të mbrojturit të tij. I akuzuari Ilaz Syla deklaroi se e mbështet fjalën përfundimtare të avokatit të tij.

Në fjalën përfundimtare mbrojtësi i të akuzuarit Gazmend Gashi, avokati Visar Vehapi, tha se çdo dispozitiv i aktakuzës është ndërtuar mbi bazën e spekulimeve dhe jo mbi fazën e fakteve, dhe tha se i vetmi aktgjykim i drejtë dhe i ligjshëm është aktgjykimi lirues.

Ndërkaq i akuzuari Gazmend Gashi tha se e mbështet fjalën e avokatit të tij dhe tha se ndihet i pafajshëm.

Paraprakisht në seancë para fjalës përfundimtare, mbrojtësi i të akuzuarit Shaban Syla, avokati Agron Kajtazi, i propozoi Gjykatës që në cilësi të provës materiale të administrohet një CD nga dokumentari “Udhëve” i Radiotelevizionit të Kosovës i datës 11.12.2020 duke përmendur relevancën e kësaj prove.

Këtë propozim të avokatit Kajtazi e kundërshtoi prokurori Abazi duke thënë se është e paqëndrueshme si provë duke i propozuar Gjykatës që ta shpallë të papranueshme.

Lidhur me këtë trupi gjykues mori aktvendim duke refuzuar propozimin e mbrojtjes me arsyetimin që  kjo provë është e parëndësishme dhe e panevojshme për çështjen në fjalë.

Ndryshe seanca e kaluar e datës 06.12.2024 lidhur me këtë rast kishte dështuar të mbahet në mungesë të të akuzuarit Ilaz Syla.

Në këtë proces të akuzuar janë Azem Syla, Artan Vila, Ramadan Uka, Avdyrrahman Brajshori, Shpresim Uka, Shaban Syla, Gazmend Gashi, Ramadan Mavraj, Ndue Palushi, Sami Maqedonci, Nyrtene Brajshori, Lumnije Sopjani, Elheme Uka, Lubisha Vujoviq, Avni Maxhuni, Sabedin Haxhiu, Vidosav Novakoviq dhe Ilaz Syla.

Për këtë rast kishte dështuar edhe seanca e datës 30.09.2024, seancë në të cilën nuk ishte paraqitur i akuzuari Azem Syla.

Trupi gjykues në këtë çështje penale ka pësuar ndryshim, kjo për arsye të ndryshimit të njërit nga anëtarët e trupit gjykues.

Trupi gjykues i ri në këtë çështje penale po udhëhiqet nga Arben Hoti – kryetar i trupit gjykues, dhe anëtarët Rrahman Beqiri dhe Lutfi Shala.

Rasti ishte duke u gjykuar nga gjyqtarë të misionit të BE-së për sundim të ligjit në Kosovë – EULEX, por më pas lënda ishte bartur në duart e drejtësisë vendore.

Tetë vite pas, sistemi i drejtësisë nuk ka arritur ende që t’i vërë pikën këtij rasti maratonik, pasi që seancat në vazhdimësi janë shtyrë ose kanë dështuar të mbahen.

Përveç Azem Sylës janë të akuzuar edhe 17 persona tjerë. Sipas organit të akuzës, të akuzuarit kanë lidhje në një formë ose tjetrën në rastin “Toka”.

Rasti numëron dhjetëra seanca të shtyra ose të dështuara që nga nisja e gjykimit për herë të parë.

Azem Syla dhe të tjerët akuzohen nga Prokuroria se si grup i organizuar kriminal kishin bashkëpunuar mes vete me qëllim që përmes falsifikimit të vendimeve dhe dokumenteve zyrtare t’i privonin Kosovës disa prona shoqërore.

Azem Syla në prill të këtij viti ka mbushur 73-vjeç. Ai ishte arrestuar më 2016-ën, kur ishte 65-vjeçar.

Prokuroria Speciale ngriti dy aktakuza kundër 39 personave të ndryshëm, në mesin e të cilëve është edhe ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla.

Aktakuza e parë, e parashtruar nga një prokuror ndërkombëtar i PSRK-së, është ngritur kundër 22 të pandehurve dhe përbëhet prej 46 pikave. Të pandehurit akuzohen për veprat penale krim i organizuar, pastrim i parave, marrje e mitës, mashtrim i rëndë, mashtrim në detyrë, nxjerrje e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, keqpërdorim i pozitës zyrtare, legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar dhe evazion fiskal.

Aktakuza e dytë është ngritur nga i njëjti prokuror, i cili akuzon 17 persona për pastrim të parave. Mirëpo kjo aktakuzë ka pushuar për shumicën e të akuzuarve, kurse për Ilaz Sylën dhe Vidosav Novakoviqin, gjyqtari ka vendosur ta bashkojë procedurën me të akuzuarit e tjerë meqë është i njëjti rast.

Sipas Prokurorisë, anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal kanë bashkëpunuar mes vete, secili me rol të caktuar, për t’i privuar Kosovës pronat shoqërore përmes veprimtarive kriminale, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve të tjera zyrtare, mashtrimin dhe veprimeve korruptive.

Në vitin 2022, të akuzuarit nuk e kanë pranuar fajësinë.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me proceset gjyqësore që kanë të bëjnë me rastin “Toka” mund t’i lexoni duke klikuar në këtë LINK.