Gjina Zeqiri | Foto: KALLXO.com

I afrohet fundi gjykimit të gjinekologes kosovare në arrati

Përderisa Gjina Zeqiri, gjinekologe nga Kosova gjendet në arrati, Gjykata e Prishtinës po e gjykon në mungesë për disa vepra që kanë të bëjnë me punën e saj në klinikën “Global Hospital”, i specializuar për IVF.

Së bashku me Zeqirin, Prokuroria po akuzon edhe dy doktorë turq Ersan Donmez, embriolog si dhe Handan Namlë, gjinekologe për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor dhe transplantim të jashtëligjshëm të organeve.Për të dy këta është veçuar procedura gjyqësore meqë janë shtetas turq dhe gjenden jashtë vendit.

Në aktakuzën e prokurorisë janë të përfshirë edhe dy ish- punëtorë të Klinikës së Gjina Zeqirit, Agron Devaja dhe Ilfete Bugjaku.

Sipas aktakuzës, Ilfete Baxhaku i kishte ndihmuar Gjina Zeqirit që të kontaktojë me donatorët e vezoreve dhe ka organizuar terminet në spital.

Në anën tjetër, Agron Devaja akuzohet se ka zbuluar fshehtësinë zyrtare duke e lajmëruar Gjina Zeqirin se do të ketë kontroll në klinikën e saj.

Të dy këta të fundit vendosën që të mos deklarohen për fjalën përfundimtare në këtë gjykim, ndërkaq Prokurorja Bukurije Gjonbalaj i propozoi trupit gjykues që fjala përfundimtare të shtyhet për një datë tjetër.

Kjo për shkak se sipas saj ajo kishte qenë në javën e fundit kujdestare në prokurori dhe duke pasur parasysh kompleksitetin e kësaj çështjeje penale, iu pamundësua të përgatis fjalën përfundimtare, me çrast dhe kërkoi kohë nga trupi gjykues.

Propozimi i prokurores u aprovua dhe seanca e rradhës u caktua me datë 17 mars, në ora 09:00

Prokuroria e akuzon Gjina Zeqirin për veprat penale të trajtimit të pandërgjegjshëm mjekësor si dhe atë të transplantimit të kundërligjshëm dhe trafikimit të organeve dhe qelizave njerëzore.

Sipas aktakuzës të akuzuarit Gjina Zeqiri, Ersan Donmezi si dhe Handan Namlë në klinikën private “Global Hospital”, e cila gjendet në Prishtinë në nëntor të vitit 2014, me rastin e trajtimit mjekësor të pacienteve në sektorin e sterilitetit (IVF), haptas nuk kanë përdorur masat përkatëse higjienike-sanitare, si dhe kanë përdorur produkte dhe pajisje farmaceutike-medicinale me pa banderolë dhe me afat skaduar.

Në bazë të aktakuzës në periudhën prej vitit 2012 e deri më datën 14 nëntor 2014 në spitalin privat “Global Hospital”, e akuzuara Gjina Zeqiri-gjinekologe, drejtoreshë në këtë klinikë, pa autorizim dhe në kundërshtim për Ligjin për Transplantimin e Indeve dhe Qelizave, pa arsye mjekësore nga persona të ndryshëm-donatorë-të dëmtuar, duke e shfrytëzuar gjendjen e dobët ekonomike të tyre, me qëllim të transplantimit, ka blerë qeliza vezore në këmbim të shumave të ndryshme të parave.

Rrëfimi i Gjina Zeqirit nga Arratia