I aderuari në Vetëvendosje tregon kur është 'divorcuar' nga PDK-ja

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Sabri Kiçmari, ka thënë se eksponentë nga PDK-ja po e sulmojnë në rrjete sociale për shkak të anëtarësimit në partinë e Albin Kurtit.

“Eksponentë të PDK-së në rrjetet sociale po drejtojnë bajoneta helmuese verbale, me gjuhë të ndytë, në drejtim timin për shkak të anëtarësimit tim në Lëvizjen Vetëvendosje! Nuk dua t’u përgjigjem me të njëjtën gjuhë. Nuk përkon me etikën time politike dhe nivelin tim intelektual”, ka thënë ish- Ambasadori i Kosovës në Austri.

Tutje, diplomati tha se që një kohë të gjatë nuk ka ndonjë lodhje me partinë e Kadri Veselit.

“Ka mbi njëmbëdhjetë vite që unë nuk kam asnjë lidhje me PDK. Në detyrën e Ambasadorit jam pranuar me konkurs. Kandidatura ime është mbështetur nga komisioni i MPJ, nga Komisioni për Politikë të Jashtme i Kuvendit të Kosovës dhe më pas jam dekretuar nga Presidenti Sejdiu. Në mandatin e dytë jam dekretuar nga presidentja Jahjaga”, ka shkruar ai në “Facebook”.

“E di se udhëheqjes së PDK nuk i është prishë fare qejfi, që unë të largohesha nga Kosova në vitin 2008, për shkak të një numri mosmarrëveshjesh konceptuale që kam pasur me ta”, ka shkruar ai në fund.

Ndryshe, Sabri Kiçmari është anëtarësuar ditë më parë në Lëvizjen Vetëvendosje.

Albin Kurti shpall aderimin e një diplomati kosovar në VV

www.kallxo.com