Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Hysni Gucati zgjidhet kryetar i OVL-UÇK-së

Hyseni Gucati është zgjedhur kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 18.01.2025.

Gucati ka marrë besimin e anëtarëve të OVL – UÇK-së për ta drejtuar këtë organizatë përsëri për një mandat të ri 4-vjeçar.

Kandidatë për kryetar të kësaj organizate ishin Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucati.

Gucati gjatë fjalimit tha se kandidaturën e tij për kryetar e shpalli për të vazhduar përkushtimin tij në mbrojtje të vlerave të luftës së veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ai u zotua se do të kryejë punën me dinjitetin në mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së dhe veteranëve të luftës.

Gucati kishte ndërprerë drejtimin e OVL-së pas arrestimit të tij nga Gjykata Speciale më 25.09.2020 në Prishtinë bashkë me Nasim Haradinajn.

Krerët e OVL-UÇK-së Gucati dhe Haradinaj më 18.05.2022, u dënuan me nga 4 vjet e tre muaj burgim dhe 100 euro gjobë.

Ata u gjetën fajtorë se mes datave 7 dhe 25.09.2020, shpërndanë pa autorizim informacione konfidenciale dhe jopublike lidhur me hetimet e Task Forcës Hetimore Speciale (‘TFHS’) dhe ZPS-së.

Pas arrestimit të tyre, drejtimin e OVL-UÇK-së e ka marrë Faton Klinaku si ushtrues detyre i kryetarit.