Hysni Gucati lirohet nga Gjykata Speciale për vizitë familjare në Kosovë

Ish-kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati i cili u dënua me katër vjet e gjysmë burg nga Gjykata Speciale, të hënën ka ardhur në Kosovë.

Pak ditë pas vdekjes së babait, Gucati është lejuar të shkojë për vizitë tek familja e tij në Skenderaj.

Lajmin për KALLXO.com e kanë konfirmuar nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale ku kanë bërë të ditur se Gucati është lejuar të takojë familjen e ngushtë.

“Po, për arsye humanitare bindëse, Trupi Gjykues ka udhëzuar Zyrën Administrative që të menaxhojë një vizitë nën mbikqyrje në Kosovë për të takuar familjen e ngushtë. Z. Gucati mbetet në paraburgim të Dhomave të Specializuara. EULEX dhe Policia e Kosovës po mbështesin Dhomat e Specializuara të Kosovës”, ka deklaruar për KALLXO.com, zëdhënësja e Dhomave të Specializuara për Kosovën, Angela Griep.

Babai i tij, Avdullah Gucati vdiq më 27 maj.

Lajmi ishte bërë i ditur nga familjarë të Gucatit në rrjetin social “Facebook.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u dënuan nga Specialja me nga 4 vite e gjysmë burgim dhe 100 euro gjobë.

Gucati e Haradinaj u gjetën fajtor sepse mes datave 7 dhe 25 shtator 2020 shpërndanë pa autorizim informacione konfidenciale dhe jopublike në lidhje me hetimet e Task Forcës Hetimore Speciale (‘TFHS’) dhe ZPS-së.

Haradinaj dhe Gucati akuzoheshin se gjatë shtatorit të vitit bën 2020, bën deklarata akuzuese për dëshmitarë që bashkëpunojnë me ZPS-në dhe për persona të tjerë, duke i quajtur ata, ndër të tjera, gënjeshtarë, bashkëpunëtorë dhe tradhtarë.

Të gjitha raportimet e KALLXO lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në LINK.