Skender Hyseni, ish-ministër i Punëve të Jashtme. Foto: Kallxo.com

Hyseni: Të shtunën në Uashington për koordinim të dialogut me Serbinë

Koordinatori shtetëror i Kosovës për dialogun me Serbinë, Skender Hyseni, tha se të shtunën do të udhëtojë për në Uashington, ku do të zhvillojë takime me zyrtarë të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, dhe në Shtëpinë e Bardhë me qëllim të koordinimit rreth procesit të negociatave.

SHBA-ja është plotësisht e inkuadruar në këtë proces, tha Hyseni në një intervistë për Radion Evropa e Lirë. Të enjten në Bruksel, ai zhvilloi një raund tjetër bisedimesh me Serbinë, në nivel ekspertësh.

Hyseni tha se në Bruksel po zhvillohen negociata të vështira për “elementet e marrëveshjes finale”, e cila, sipas tij, ka për synim njohjen e ndërsjellë me Serbinë.

Ai nuk deshi të zbulojë se cilët do të jenë kapitujt e ardhshëm,për të cilët do të bisedohet në Bruksel, por theksoi që kjo do të bëhet e njohur në fund të procesit negociator, kur të arrihet një tekst përfundimtar i marrëveshjes. Pala serbe megjithatë tashmë ka deklaruar se në Bruksel deri më tani është biseduar për të pagjeturit, të zhvendosurit dhe për bashkëpunimin ekonomik.

Hyseni shtoi se tashmë është i dukshëm një përkushtim ndryshe nga më parë i BE-së dhe SHBA-së, që kjo çështje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përfundimisht të zgjidhet.

Bisedime krejtësisht politike

Radio Evropa e Lirë: Zoti Hyseni, tashmë keni zhvilluar një takim të dytë me palën serbe, në rolin e koordinatorit shtetëror të Kosovës për dialog me Serbinë. Cilat janë parime mbi të cilat po zhvillohen takimet e punës?

Skender Hyseni: Parimi është shumë i thjeshtë dhe pragmatik. Po diskutojmë elementë të caktuar, përkatësisht kapituj të një marrëveshjeje gjithpërfshirëse ligjërisht të obligueshme – kuptohet, në momentin që nënshkruhet – dhe po ashtu ndërkombëtarisht të obligueshme, që nënkupton që marrëveshja gjithpërfshirëse dhe përfundimtare do t’i nënshtrohet plotësisht të drejtës ndërkombëtare. Kjo marrëveshje për synim të vetëm ka njohjen formale ndërmjet Kosovës dhe Republikës së Serbisë, si shtete të pavarura dhe sovrane. Një akt i tillë – besojmë ne në Kosovë – do të vendoste një paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në Balkanin Perëndimor dhe i njëjti besim dhe synim është edhe në Bruksel, por edhe në Uashington. Prandaj, çfarëdo interpretimi tjetër i këtyre negociatave, është i gabuar.

Pra, nuk bëhet fjalë për biseda teknike apo biseda për çështje të veçanta, për çështje të cilat mund të interpretohen edhe si teknike, por përkundrazi. Është një proces bisedimesh krejtësisht politike që synon arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë. Dhe atë, jo duke u zvarritur, jo duke humbur shumë kohë, sepse ky proces nuk duron zvarritje të pafundme, por do të jetë një proces dinamik, shumë i ngjeshur dhe unë besoj shumë i shpejtë, pavarësisht nga rezultati përfundimtar, që për Kosovën është ekskluzivisht njohja reciproke./REL