Skender Hyseni, ish-ministër i Punëve të Jashtme. Foto: Kallxo.com

Hyseni: Qeveria e udhëhequr nga LDK do të heqë menjëherë tarifën/reciprocitetin

Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Skender Hyseni, ka thënë se një qeveri e udhëhequr nga LDK do të heqë menjëherë tarifën në mënyrë që dialogu me Serbinë të fillojë sa më shpejt.

“Ne presim që Serbia të sillet në përputhje me rrethanat”, ka shkruar Hyseni në Twitter.

Sipas Hysenit, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë mes Kosovës dhe Serbisë, duke përfshirë edhe njohjen e ndërsjellë, nuk kanë alternativë tjetër.

Më poshtë mund ta lexoni postimin e plotë të Hysenit në Twitter:

“Një qeveri e re e udhëhequr nga LDK do të heqë menjëherë tarifën/reciprocitetin në mënyrë që dialogu të fillojë sa më shpejt. Ne presim që Serbia të sillet në përputhje me rrethanat! Marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë midis Kosovës dhe Serbisë, përfshirë njohjen e ndërsjellë nuk kanë asnjë alternativë!”

Sot është mbajtur mbledhja e Kryesisë së LDK-së. Pas kësaj mbledhjeje, kryetari i LDK-së ka deklaruar se ka përkrahjen e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së për koalicionin me partitë e tjera, përveç LVV-së dhe PDK-së.

Gjithashtu ai ka përmendur se ende nuk është diskutuar emri i mandatarit për kryeministër.

Sot, Vjosa Osmani pas takimit me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, deklaroi se nuk ishte në dijeni se do të mbahej mbledhja e Kryesisë së LDK-së, dhe se ajo nuk ishte ftuar.

Nga ana tjetër, Isa Mustafa ka deklaruar se Osmani nuk është ftuar për shkak se dihet opinioni i saj sa i përket koalicionit.