Foto: KALLXO.com

Hyseni për referendumin: Qyqarllëk i Kurtit dhe Osmanit, servilizëm i Abdixhikut

Ish-koordinatori i Kosovës për Dialog me Serbinë, Skender Hyseni ka kritikuar ashpër liderin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku pasi partiq e këtij të fundit përkrahu rezolutën e propozuar në Kuvend kundër referendumit të Serbisë.

“Rezoluta kundër referendumit serb, qyqarllëku i binomit Kurti-Osmani dhe servilizmi e hipokrizia politike e Abdixhikut”, ka shkruajtur Hyseni në Facebook.

Hyseni tha se Kurti dhe Osmani për të arritur koordinim dhe dakordim kanë pasur dy muaj kohë.

“Për t’u arritur ky koordinim dhe dakordim Kurti e Osmani kanë pasur gati dy muaj kohë. Por, në vend të koordinimit, konsultimeve dhe dakordimit, Kurti e Osmani kanë zgjedhur opsionin e demonstrimit të” “sovranitetit të padiskutueshëm” nën sloganin “ne nuk kemi nevojë për aleat e as miq dhe nuk lejojmë askënd të përzihet në punët tona të brendshme”, thotë Hyseni.

Hyseni i ka quajtur “strucë” Kurtin e Osmanin, duke thënë se të dy e çuan në Kuvend këtë iniciativë për ta hequr përgjegjësinë nga vetja.

“Kështu, duke mos pasë guximin elementar për të zbatuar kushtetutën, strucët, binomi Kurti-Osmani vendosën të organizonin ‘referendumin’ e tyre, ku tjetër pos, në kuvendin e Kosovës për t’u shtruar deputetëve një pyetje të thjeshtë: “Të dashur deputetë UNË, VJOSA OSMANI PRESIDENTJA JUAJ DHE UNË, ALBIN KURTI, KYEMINISTRI JUAJ, po ju pyesim: A duhet ne të dy ta zbatojmë Kushtetutën e Kosovës???!!!” Dhe deputetët, 76 sish, njëzëri: “Po shefa! Ju duhet ta zbatoni kushtetutën”! Nuk e besoj të kishte njeri që priste përgjigje tjetër!”, ka shkruar më tutje Hyseni.

Kuvendi i Kosoves gjatë ditës së shtunë me 76 vota për, asnjë kundër dhe një abstenim votoi rezolutën kundër mbatjes së referendumit të Serbisë në Kosovë.