Skender Hyseni, ish-ministër i Punëve të Jashtme. Foto: Kallxo.com

Hyseni: Palët që kanë qenë të interesuara të informohen për dialogun i kam informuar

Koordinatori shtetëror për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Skender Hyseni, ka njoftuar se ka informuar të gjitha palët dhe partitë politike të cilat kanë qenë të interesuara të dinë për rrjedhën e procesit në Bruksel.

Këto deklarata Hyseni i ka bërë në një intervistë në Klan Kosova.

“Të gjitha palët që kanë qenë të interesuara  të informohen nga dora e parë, janë informuar dhe unë i kam kontaktuar të gjithë pa përjashtim. Kam pasur një komunikim me z. Hoxhaj nënkryetar i PDK-së, kam pasur një takim shumë përmbajtësor me z.Limaj dhe e kemi trajtuar linjën që do ta ndjekim në këtë dialog, pastaj kam kontaktuar LVV, duhet ta vlerësoj publikisht gatishmërinë që të flas me z. Selimi, kam biseduar me z. Rexhep Selimi dhe ia kam parashtruar kërkesën me plot mirësjellje që LVV kryetari Kurti të më takojë kurdo që e sheh të nevojshme ai në mënyrë që ta njoftoj me rrjedhën e dialogut në Bruksel”, ka thënë Hyseni.

Tutje ai shtoi se ka kërkuar takim edhe me të parin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, por që nuk ka marrë ndonjë përgjigje për këtë takim.

“Z.Selimi me shumë mirësjellje më ka premtuar se do ta përcjell , unë kam insistuar dhe do të vazhdoj të insistoj që t’i njoftoj nga dora e parë të gjithë faktorët politikë parlamentarë në Kosovë pavarësisht pozicionimit të tyre karshi dialogut, pavarësisht pjesëmarrjes apo mospjesëmarrjes. Nga Kurti nuk kam marrë përgjigje, kërkesa ka qenë menjëherë pas takimit të parë nga Brukseli”, tha ai.

Muajin e kaluar, Skender Hyseni është emëruar koordinator shtetëror për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Emërimi i Hysenit u bë nga kryeministri Avdullah Hoti.

Koordinatori shtetëror i Kosovës për dialogun me Serbinë, Skender Hyseni, të shtunën e kaluar ka udhëtuar për në Uashington, ku ka zhvilluar takime me zyrtarë të lartë të Departamentit amerikan të Shtetit.