Foto: REL/Reuters

Hyseni: Mësimi online me shumë mangësi, të mos mbahet PISA

Eksperti i çështjeve arsimore në Kosovë, Halim Hyseni nga Qendra për Avancimin e Performancës së Sistemit të Arsimit, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, thotë se nëse viti shkollor përfundon vetëm në bazë të mësimit në distancë, pasojat do të jenë të pariparueshme dhe dëmet do të jenë të jenë të mëdha.

Hyseni në intervistë thekson se është naivitet dhe nuk guxon të ndodhë që nxënësit nga Kosova të marrin pjesë në programin për vlerësimin ndërkombëtar të nxënësve (​PISA) në vitin vijues. Sipas tij, nëse ministria lejon një gjë të tillë, e bën një gabim tepër të rëndë.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Hyseni, si e vlerësoni procesin aktual të mësimit në nivelin fillor dhe të mesëm me përdorimin e platformave të internetit për mësimin në distancë?

Halim Hyseni: Organizimin e mësimit në distancë, unë e shoh si një gjë të domosdoshme, një reagim reaktiv, sepse po të mos organizohej ky mësim në distancë, pasojat do të ishin shumë të mëdha. Por, kjo duhet parë në sfondin e përgjithshëm, i cili është shumë i papërshtatshëm.

Ajo çka ndodh në shoqëri patjetër që reflektohet edhe në institucionet edukative dhe arsimore. Në këtë aspekt nuk ka pasur zgjidhje, por problemet dhe vështirësitë të cilat dalin, dhe pasojat të cilat do të jenë nga ky organizim, nëse Ministria e Arsimit nuk reflekton dhe nuk bën një planifikim imperativ, imperativ do të thotë alternativë, pra nëse nuk kërkon alternativa të shumta për të parë efektet e mësimit në distancë sepse larushia edhe pabarazia në edukim dhe arsim në Kosovë është e jashtëzakonshme. Organizimi i mësimit në distancë ka shkuar njëtrajtshëm në mënyrë lineare.

Procesi i zhvillimit të njësive mësimore nuk ka qenë i njëjtë për shkak të kushteve dhe rrethanave të ndryshme të pabarazisë gjithkund në Kosovë. Ministria e Arsimit ka për detyrim që të punojë në mënyrë shumë intensive që të gjejë format më të përshtatshme të sigurimit të informacionit kthyes se çka ka ndodhur me organizimin e mësimit në distancë. Do të thotë ka qenë e domosdoshme, kanë bërë mirë që e kanë bërë, por, tani mbetet puna më e madhe.

Mendoj se pasojat do të jenë tepër të mëdha nëse Ministria e Arsimit, natë e ditë nuk punon në kërkimin e alternativave për të konstatuar atë se çka ka qenë mirë, çka nuk ka qenë mirë. Dhe më në fund të mendojë se si ta përfundojë vitin shkollor. Nuk mund të përfundojë viti shkollor pa e siguruar këtë informacion. Një vendim që e kanë marrë shtetet për shembull Anglia, e ka marrë që ai sukses, i cili ka qenë në muajin mars kur është paraqitur koronavirusi, ato nota të vendosen. Kjo në Kosovë nuk mund të ndodhë.

A ju duken të duhura përgatitjet e mësimdhënëseve në përdorimin e TIK-ut në mësimdhënie?

Mësimdhënia në distancë është shumë e vjetër. Ajo fillon në vitin 1920 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kur mësimdhënësit u kanë dërguar leksionet me postë nxënësve kur nuk kanë pasur mundësi kontakti. Tani, arsimtarët tonë nuk e dinë ç’është mësimdhënia në distancë. Mësimdhënia online është strategji për realizimin e mësimdhënies në distancë. Arsimtarët tanë ketë nuk e dinë, sepse këta nuk janë aftësuar as për mësimdhënien në distancë e as për mësimdhënien online, se mësimdhënia online është vetëm një nga strategjitë e shumta për organizimin e mësimit në distancë.

Programi për vlerësimin ndërkombëtar të nxënësve [PISA], Kosovën dhe sistemin e edukimit e ka renditur keq për vite të tëra. Çka mund të pritet nëse Kosova merr pjesë këtë vit?

Vitin e ardhshëm, nxënësit e Kosovës nuk duhet të marrin pjesë në programin PISA, se rezultatet kam frikë se do të jenë shumë më të këqija për shkak të gjendjes, e cila ndodhi tani. Kështu që, sugjerimi im është që pjesëmarrja në PISA të shtyhet për vitin 2024 dhe të fitohet në kohë që të bëhen ndryshimet të rëndësishme për nxënësit tanë. Kjo mund të arrihet që të përgatiten më mirë për vitin 2024. Është naivitet dhe kjo nuk guxon të ndodhë që nxënësit tanë në vitin e ardhshëm të marrin pjesë në programin PISA. Nëse ministria e bën këtë punë, e bën një gabim tepër të rëndë sepse do të thotë, po e vazhdon një traditë që nuk shqetësohet shumë për arritjet e nxënësve tanë në arenën ndërkombëtare.

A mendoni se kjo mënyrë e mësimdhënies ka shkaktuar ngarkesa psikologjike te nxënësit?

Është shkaktuar stres te mësimdhënësit, edhe te nxënësit, edhe te prindërit për shkak të pabarazisë që ka ekzistuar. Pa përgatitjet e mësimdhënësve dhe mungesës së informacioneve te mësimdhënësit, te nxënësit, te prindërit për organizmin e mësimdhënies online.

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në Qeverinë në detyrë të Kosovës ka bërë publik udhëzuesin për vlerësimin e nxënësve gjatë mësimit në distancë. Sipas jush, cilat janë format më të përshtatshme për vlerësimin e nxënësve?

Është çështje që duhet studiuar, format janë të mundshme. Duhet të hartohen programe të veçanta, teste të veçanta. Duhet përdorur strategji të shumta multimediale, të cilat janë të njohura në këtë fushë. E dyta, duhet gjetur mundësinë që të shtohet aktiviteti, që inspektorët të shkojnë në institucione, në shkolla, të bëhen shumë intervista, testime. Kështu pra, mundësia është testimi dhe e dyta verifikimi i gjendjes në terren përmes bisedave, konsultimeve me mësimdhënës edhe nxënës, e kështu me radhë.

Në kushtet e qëndrimit në shtëpi, nëse do të vendoset që deri në fund të vitit akademik të mbahet vetëm mësimi në distancë/e-mësimi, për çfarë do të ketë nevojë më shumë?

Mund ta kem gabim, unë nuk mundem të mendoj se viti shkollor mund të përfundojë pa një verifikim faktik të gjendjes aktuale që është, dhe a ka arritje dhe mosarritje me mësimin në distancë. Unë jam i pajtimit që ky proces të shtyhet edhe për dy muaj viti shkollor. Do të duket paradoksale, por brenda dy muajve të bëhet vlerësimi real, dhe në mënyrë intensive të fillojë viti shkollor dhe akademik dy muaj më parë.

Përndryshe, nëse këta e përfundojnë vitin shkollor vetëm në bazë të mësimit në distancë, kam frikë se pasojat do të jenë të pariparueshme dhe dëmet do të jenë kolosale për të ardhmen e këtij vendi./REL