Hyseni kërkon votat e opozitës: Gjilani është komuna e vetme që nuk e ka votuar buxhetin 2025

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni përmes një konference për media, më 10.12.2024 i ka bërë thirrje partive opozitare në ketë komunë që ta votojnë buxhetin për vitin 2025.

Hyseni ka thënë se ky buxhet është për të gjithë qytetarët e Gjilanit.

Ndërsa, ka njoftuar se tashmë janë e vetmja komunë në Kosovë që ende nuk e ka votuar buxhetin për vitin 2025.

“Ketë takim e kemi thirrur në nevojë urgjente për të bërë thirrje publike për votimin e buxhetit. Prej muajit shkurt po presim të votohet buxheti që të paguhen parat e taksapaguesve të qytetit. Thirrje e veçantë vlen për buxhetin e vitit 2025. Vlera e buxhetit është thuajse 40 milionë euro për 2025. Gjilani është komuna e vetme që nuk e ka votuar buxhetin për vitin 2025, të vetmit në nivel vendi”- ka thënë Hyseni.

Ai ka thënë se janë të gatshëm të pranojnë kërkesat për projekte të opozitës.

Komuna e Gjilanit prej muajit shtator nuk ka arritur ta miratoj buxhetin për vitin 2025. Kjo pasi partitë opozitare nuk po pajtohen me draftin e dërguar nga qeverisja lokale.

Në tetor 2024, kryetari i Degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Gjilan, Riad Rashiti ka numëruar arsyet që sipas kësaj partie nuk po e votojnë buxhetin komunal për vitin 2025.

Rashiti theksoi se planifikimi i këtij buxheti nuk është në interes të qytetarëve.

Kryetari i Degës së LDK-së në Gjilan, Lutfi Haziri, ka bërë të ditur se dështimi i buxhetit në Gjilan konfirmohet zyrtarisht nga MAPL, me anë të një letre zyrtare si dështim i Ekzekutivit, jo i Kuvendit.

Më 02.10.2024, Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, i ka kërkuar ministrit të Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, që konform përgjegjësisë ligjore të nisë procedurën për shpërbërjen e Kuvendin komunal të Gjilanit.

Si arsye, ai ka dhënë telashet me votimin e buxhetit komunal.

Ndërsa, më 13.11.2024, asamblisti i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjilan, Gentrit Musliu ka publikuar përgjigjen e MAPL-së, duke thënë se zyrtarisht u refuzua kërkesa për shpërbërje të Kuvendit dhe kërkoi nga kryetari Hyseni që të reflektoj.

MAPL i përgjigjet kërkesës së kryetarit të Gjilanit për shpërbërje të Kuvendit Komunal

Sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, neni 50 përcakton se Kuvendi i Komunës konsiderohet jo funksionuse mes tjerash edhe nëse nuk miraton buxhetin sipas afatit të paraparë me ligjin.

Pastaj, Ministria përgjegjëse për qeverisje lokale e njofton Qeverinë e Republikës së Kosovës për mosfunksionimin e komunës. Qeveria mund ta shpërndajë kuvendin e komunës jofunksionues. Më pas, zgjedhjet e reja për kuvendin e komunës mbahen në pajtim me ligjin për zgjedhjet komunale.

Alban Hyseni i LVV-së në fillim të mandatit të tij kishte bërë koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës. Mirëpo nga 06.06.2023 Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës kanë ndërprerë bashkëpunimin për qeverisje në komunën e Gjilanit.

Kësisoji pa një parti opozitare, Hyseni nuk i ka votat e mjaftueshme në asamble.