Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Hyseni: Kam folur me kryeministrin, brenda mandatit përfundon autostrada Gjilan-Prishtinë
Kandidati për kryetar të Gjilanit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Hyseni, ka thënë se brenda mandatit të Qeverisë Kurti 2 do të përfundojë autostrada Gjilan-Prishtinë.
“Autostrada Gjilan-Prishtinë do të përfundojë brenda mandatit të Qeverisë Kurti 2. Unë po flas edhe në emër të asaj që kemi biseduar edhe me z. Kurti, me kryeministrin”, tha ai në “Debat Përnime”.
Hyseni ka folur edhe për stadiumin e qytetit.
“Njëra prej arsyeve pse është ndalë kjo rrugë, janë ndalë edhe disa projekte në komunën e Gjilanit është se, pavarësisht ndarjeve buxhetore, nuk janë arritur të shpenzohen mjetet, nuk janë kryer punët. Stadiumin e qytetit po e presim tash e 5 vite thuajse për t’u përfunduar, me autostradë është e njëjta qasje”, shtoi Hyseni.
Sonte në “DebatPernime” po diskutohet për balotazhin e 14 nëntorit për komunën e Gjilanit dhe Dragashit.
I ftuar në debat është Alban Hyseni nga Lëvizja Vetëvendosje. Kundërkandidati i tij, Lufti Haziri nga Lidhja Demokratike e Kosovës nuk është i pranishëm në debat me arsyetimin se “debatin po e mban me qytetarë”.
Kandidati nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Hyseni do të përballet në balotazh me kundërkandidatin e tij, kryetarin aktual të Gjilanit, Lutfi Hazirin nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).
Sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së për rundin e parë të zgjedhjeve në Gjilan, kandidati i LVV-së, Alban Hyseni ka siguruar 44,71% të votave, kurse kandidati Lutfi Haziri nga LDK ka marrë 43,51%.