Hysen Hundozi emërohet në pozitën e ushtruesit të detyrës së drejtorit të përgjithshëm të RTK-së
Bordi i Radiotelevizionit të Kosovës ka emëruar Hysen Hundozin në pozitën e ushtruesit të detyrës së drejtorit të përgjithshëm të RTK-së.
Sipas një njoftimi, Hundozi punon në RTK që nga viti 2002 dhe ka pasur pozita të ndryshme menaxhuese dhe profesionale.
Emërimi i tij është bërë sot, më 31.10.2024, në mbledhjen e jashtëzakonshme të bordit, ku pikë kryesore e rendit të ditës ishte diskutimi mbi bllokimin e ekzekutimit të të gjitha pagesave si rezultat i mungesës së udhëheqësit menaxherial.
“Zyrtari Kryesor Financiar ka njoftuar Bordin për bllokimin e ekzekutimit të të gjitha pagesave si rezultat i mungesës së udhëheqësit menaxherial, në këtë rast Drejtori i përgjithshëm apo, në mungesë të tij, Zëvendësdrejtori i përgjithshëm i RTK-së” – u tha në njoftim.
Tutje u shtua se këto bllokime financiare dhe menaxheriale ndikojnë gjithashtu edhe në procesin e prodhimit dhe ofrimit të shërbimeve programore.
Në njoftim u tha se duke iu referuar kësaj situate të bllokuar financiare dhe menaxheriale, e cila paralizon të gjitha operacionet dhe aktivitetet në RTK, në kushte kur pjesëmarrës në mbledhjet e bordit të RTK-së ishin vetëm gjashtë anëtarë, dhe pas konsumimit të mundësive për të emëruar një udhëheqës me pjesëmarrje të të gjithë anëtarëve, bordi si organ kolegjial dhe mbikëqyrës me qëllim të zhbllokimit të krizës si mundësi e vetme ka vendosur për plotësimin e rregullores nr. 22/24 për rregullimin e procedurave të konkursit në RTK dhe Statutin nr. 1/22, duke rregulluar procesin e votimit të ushtruesit të detyrës së drejtorit të përgjithshëm me shumicë të thjeshtë votash.
RTK ka mbetur pa udhëheqës kryesor të menaxhmentit pas dorëheqjes edhe të zëvendësdrejtorit të përgjithshëm, Adi Krasta, më 28.10.2024 e cila ka ardhur pas dorëheqjes së drejtorit të përgjithshëm, Shkumbin Ahmetxhekaj, dorëheqje të cilën e kishte paraqitur më 23.05.2024.
Ish-drejtori Shkumbin Ahmetxhekaj kishte dhënë dorëheqje, duke thënë se kjo vjen pas një presioni politik 7-mujor.
Ai kishte pretenduar se ishte ftuar në takim edhe nga kryeministri Albin Kurti.
“Zoti Kurti në njëfarë forme e pranonte që në RTK ka ndryshim por mendonte që duhet të ketë ndryshim shumë më të thellë. Në një moment tha që ‘mendoj që ka ardhë koha për një ndryshim të ri në menaxhment’. Nuk ishte shumë specifik që unë të largohesha por fakti që thotë ndryshime në menaxhment, atë e kuptova” – kishte thënë Ahmetxhekaj.
Sipas Ligjit për RTK-në, drejtori i përgjithshëm ndër të tjera menaxhon veprimtarinë e RTK-së, duke marrë vendime për çështjet e organizimit, financave dhe pagave sipas kritereve të përcaktuara nga bordi i RTK-së, si dhe përfaqëson RTK-në brenda dhe jashtë vendit.
Pas dorëheqjes së Ahmetxhekajt, u.d. drejtoreshë ishte emëruar Zana Spahiu, por edhe ajo u dorëhoq pas rreth dy javësh prej kur ishte emëruar.