Foto: REL/AFP

Hynë në karantinë një mjek dhe dy infermiere të QKMF-së së Fushë-Kosovës

Një mjek dhe dy infermiere të QKMF-së së Fushë-Kosovës para pak ditësh janë futur në karantinë pasi kanë pasur kontakt me një person që ka dalë pozitiv me coronavirus.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com drejtori i QKMF-së në Fushë-Kosovë, Osman Maxhera.

“Një mjek dhe dy infermiere janë vetëkarantinuar në shtëpitë e tyre. Kanë pasur kontakt me një pacient atëherë i pakonfimruar, i cili më vonë është konfirmuar pozitiv. Kanë pasur një kontakt, ai ka shkuar për trajtim për hiper tension. Me rekomandim edhe të Instituti Kombëtar janë vetëkarantinuar. Kanë qenë të pajisur komplet me pajisje, nuk ka diçka për shqetësim”, është shprehur ai,

I pyetur nëse pritet që tre punëtorët shëndetësorë të testohen për COVID-19, ai ka thënë se kjo është çështje e Instituti Kombëtar të Shëndetit Publik.

“Unë kam kërkuar që për shkak se është një mungesë e stafit që sa më herët që është e mundur, se mënjëherë nuk bëhen testet, t’i bëhen testet në mënyrë që të kthehen më shpejt në punë, përndryshe është Instituti që vendos”, tha Maxhera për KALLXO.com.

Deri më tani në Kosovë janë infektuar 387 persona me coronavirus, 63 janë shëruar si dhe janë shënuar 8 vdekje.