Hynë në grevë për rroga, largohen nga puna 12 punëtorë nga pronari i ONIX-it në Banjë të Pejës

 

12 terapeut fizikal nga Spitali Special për Terapi Fizikale me Rehabilitim ONIX në Banjë të Pejës, janë larguar nga puna pa ndonjë paralajmërim paraprak.

Largimi nga puna është bërë nga drejtori për shkak të refuzimit të punëtorëve që të kryejnë detyrat e punës, meqenëse të njëjtit përmes grevës kanë vendosur t`i shprehin pakënaqësitë e tyre.

Punëtoret në grevë një ditore ishin futur pasi që iu refuzua kërkesa për rritje të koeficientit.

Shkresa drejtuar punëdhënësit përmbanë kërkesë për rritje të koeficientit dhe ndërprerjen e ditëve të reduktuara.

KALLXO.com ka siguruar kërkesën për rritje të koeficientit.

“Kërkesë më të cilën shprehim pakënaqësinë tonë lidhur me kuotën e lartësisë së përcaktuar vetëm prej 2.5 me rastin e vazhdimit të kontratës në muajin shkurt të këtij viti, e cila paguhet për normën e plotë të orarit të punës, e të cilën lartësi e konsiderojmë të ulët jo reale dhe jo proporcionale në raport me punën dhe angazhimin tonë fizik e profesional, natyrën e punës dhe intensitetin voluminoz të angazhimit përgjatë tërë orarit të punës“, thuhet në kërkesën e tyre të siguruar nga KALLXO.

“Pasur parasysh të lartcekurat kërkojmë me mirëbesim nga ana e juaj që të shqyrtohet, analizohet e vlerësohet kërkesa jonë, ashtu që lartësia e kuotës të rritet bile në nivelin e lartësisë prej 3.50”, thuhet tutje në kërkesë.

Punëtoret po ashtu kanë kërkuar të rregullohen edhe disa çështje lidhur me kushtet e punës.

Drejtori i spitalit Xhevdet Shoshi është prononcuar për KALLXO.com.

Shoshi tha se punëtoret kanë paraqitur kërkesë për rritje diku 50% të pagës, pastaj kanë dalë në grevë, e që ai si punëdhënës e ka konsideruar të paarsyeshme duke pasuar largimi i tyre nga puna.

“Ata kanë ardhur me një kërkesë që të iu rritet roga 50% diku, dhe me disa kushte të tjera, unë ju kom thënë nuk ka mundësi kjo letër nuk e rrit rrogën, sepse kisha me u idhnu me juve nëse javën tjetër nuk e qitni një letër tjetër…”, tha Shoshi.

“Mu kanë mbledhë të nesërmen e janë futur në një skutë aty para pacienteve, edhe thanë nuk dalim në punë pa na i rrit rrogat, grevë. Unë ju thash ose hyni në kabina të punës e fillojani punën, kush nuk do në asfalt“, shtoi drejtori Shoshi.

Lidhur me rastin KALLXO.com ka kontaktuar për një mendim ligjor edhe Inspektoratin e Punës.

Inspektori Pashkë Vuksanaj deklaroi fillimisht së kanë pranuar kërkesën për shkeljet e supozuara në këtë rast.

Ai tha se një veprim i tillë i drejtorit është i kundërligjshëm.

“I kemi orientuar për ankesë të punëdhënësi, ai ka afat 15 ditë të sjellë vendim, kur të kryhen afatet në vazhdojmë me procedura”, shtoi inspektori.

Sipas tij vendimi për largim nga puna duhet me qenë i bazuar në ligj dhe shumë i arsyetuar.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe një nga të larguarit nga puna, por që i njëjti ka dashur të mbetet anonim.

Ai deklaroi se e tërë kjo situatë është një padrejtësi qe po ju bëhet atyre nga ana e drejtorit Shoshi.