Hyn në fuqi udhëzimi i ri administrativ që përcakton çmimet e shërbimeve shëndetësore
Çmimet e shumë shërbimeve shëndetësore në sistemin publik kanë rënë pasi që të martën, më 05.11.2024, ka hyrë në fuqi udhëzimi administrativ “Bashkëpagesat për shërbime shëndetësore”.
“Tash e tutje disa nga shërbimet jetike për qytetarët tanë do të jenë pa kosto e disa me kosto të përballueshme’ – ka thënë ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.
Vendosja e implantit të dhëmbit ka rënë nga 400 në 170 euro, realizimi i rezonancës magnetike ka rënë nga 30 në 20 euro, ndërsa i CT-së nga 25 në 15 euro.
Çmimet do të jenë më të ulëta edhe në fushën e kardiologjisë.
Vendosja e një “pace maker” të përhershëm do të kushtojë 50 euro, ndërsa ka kushtuar 100 euro.
Procedurat e kardiologjisë invazive pulmonare, cerebrale, renale si dhe aortografia kanë rënë nga 120 në 20 euro.
Udhëzimi administrativ i vjetër që përcaktonte këto çmime datonte nga viti 2007.
Bashkë me njoftimin për miratimin e udhëzimit, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka bërë krahasimin e çmimeve për disa shërbime nga sektori privat në atë publik.
Ai ka shkruar se rikonstruktimi i gjirit që në publik bëhet falas, në privat kushton nga 3 deri në 5 mijë euro. për mamografinë, Vitia thotë se në publik është falas e në privat 30 euro.
“SPECT/CT = 50€ në publik < 800€ në privat. Rezonanca magnetike = 20€ në publik < 100€ në privat. Koronografia me implantim të stentit (pavarësisht numrit të stentëve) = 300€ në publik < 3,000€ në privat” – ka shtuar ministri.
Edhe pse fertilizimi i asistuar mjekësor nuk ofrohet ende në sektorin publik, Vitia ka shkruar që ky shërbim është falas në publik e 3 mijë euro në privat. Ministri ka paralajmëruar më parë se IVF-i do të ofrohet në publik deri në fund të këtij viti.
Ministri njoftoi edhe për uljen e çmimit të vendosjes së implantit të dhëmbit, për çmimin e të cilit KALLXO.com kishte raportuar më 29.08.2024.
Kur ky shërbim u rikthye në sektorin publik, ministri Vitia e kryeministri Albin Kurti patën thënë se ai do të ishte me çmim të përballueshëm dhe shumë më të lirë se në sektorin privat. Mirëpo, nuk kishte dalë ashtu, pasi që çmimi i tij ishte 400 euro, ngjashëm me sektorin privat.
Drejtori i Qendrës Klinike Stomatologjike, Kastriot Meqa, pati thënë se çmimi i lartë ishte shkak që për 8 muaj ishin vendosur vetëm dy implante, dhe atë një pacienti.
Megjithatë, në disa shërbime të caktuara, udhëzimi i ri ka krijuar rritje të çmimeve: ndërprerja e shtatzënisë pa indikacion socio-medicinal është ngritur nga 30 në 50 euro, rinoplastika estetike nga 100 në 150 euro, rëntgeni me kontrast nga 5 në 10 euro, e të tjera.